Rezoluta e Kuvendit për BE-në: Hapni negociatat

Kuvendi ka hartuar 10 pika në formën e një draft-rezolute që do t’i dërgohet vendeve anëtare të Bashkimit Evropian para vendimit të negociatave.

Drafti i siguruar ekskluzivisht nga A2, që mban firmën e Rudina Hajdarit dhe Senida Mesit, i tërheq vëmendjen vetë Kuvendit që të vijojë me intensitet punën e tij në përmbushje të detyrimeve kushtetuese, por edhe nxit për gjetjen e një zgjidhjeje të krizës politike.

“Dialogu, gjithëpërfshirja dhe transparenca, të mbështetura në parimet demokratike dhe institucionet kushtetuese, janë thelbësore për progresin e qëndrueshëm të institucioneve në Shqipëri për procesin integrues”, lexohet në rezolutë.

Ndër pikat e tjera, thotë se mbështet Reformën në Drejtësi, inkurajon ngritjen e SPAK-ut, BKH-së dhe Gjykatës Kushtetuese, si edhe luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, në emër të integrimit.

“Duke konsideruar që anëtarësimi i Republikës së Shqipërisë në Bashkimin Europian tejkalon çdo interes partiak, inkurajojmë vendet anëtare të Bashkimit Europian për hapjen e negociatave të Republikës së Shqipërisë me Bashkimin Europian”, lexohet në dokument.

Draftrezoluta pritet të votohet këtë të enjte në Parlament.  

Shkarkoni aplikacionin e A2