Dhuna në derbi, Tirana: Kemi zbatuar planin e masave, Partizani të mos bëjë prokurorin

Pas akuzave se pjesëtarë të administratës së stadiumit “Selman Stërmasi” mund të kenë ndihmuar tifozët e Tiranës për të vendosur fishekzjarrët pranë vendit ku do të qëndronin tifozët e Partizanit, në derbin e të dielës, ka ardhur edhe reagimi i klubit bardheblu.

“Klubi i Futbollit Tirana distancohet nga të gjitha aktet e dhunës, shfaqjet e shëmtuara jo sportive dhe dënon ashpër të gjitha problematikat e krijuara nga tifozët në ndeshjen Tirana-Partizani”, thuhet në deklaratën e publikuar në Facebook.  

“KF Tirana ka zbatuar me rigorozitet planin e masave të hartuar me Policinë e Tiranës për mbarëvajtjen e takimit brenda dhe jashtë stadiumit “Selman Stërmasi”. Në përfundim të takimit, klubi ka vënë në dispozicion të Policisë serverat e sistemit të kamerave të stadiumit, për të gjetur dhe dënuar më pas përgjegjësit e incidenteve në stadium por edhe autorët e incidenteve të mbetura fatmirësisht në tentativë.

Klubi i Futbollit Tirana është një klub futbolli dhe jo një institucion policor. Si i tillë, konform të gjithë rregullave të Federatës Shqiptare të Futbollit dhe ligjeve të Shtetit Shqiptar, kemi marrë masa organizative për ndeshjen, si dhe dokumentuar me pamje filmike incidentet dhe dorëzuar ato më pas në institucionet përkatëse.

Ftojmë KF Partizanin të ruajë qetësinë, bashkëpunojë me Policinë nëse disponon materiale filmike apo prova për të gjetur autorët dhe fajtorët e incidenteve në stadium. Një klub futbolli mund dhe duhet të mos kaloje kompetencat për të folur nxituar, herë si hetues dhe herë të tjera si prokuror”.

Shkarkoni aplikacionin e A2