Kampi i emigrantëve përfshihet nga zjarri, viktima në ishullin Lesbos

Shpërthimi i një zjarri në një kamp të tejmbushur në ishullin grek të Lesbosit rezultoi me viktima e të plagour mes emigrantëve.

Por, ndërsa autoritetet lokale konfirmojnë vetëm një viktimë, duke thënë se kishin gjetur trupin e djegur të një gruaje, raporte të pakonfirmuara që citohen nga mediat greke flasin për 3 të vdekur, ndër të cilët një nënë me fëmijën e saj. 

Sipas mediave greke, zjarri nisi kur emigrantët filluan të përlesheshin me policinë që u kërkoi atyre të largoheshin nga kampi i Morias dhe u vunë flakën disa kontenierëve në zonë. Policia hodhi gaz lotsjellës brenda kampit, duke e vështirësuar edhe më shumë frymëmarrjen e refugjatëve, pas tymit të dendur që kishte përfshirë zonën.

Ministria e Shëndetësisë njoftoi të hënën se një total prej17 personash ishin shoqëruar në spital. “Shumica e të plagosurve kanë plagë në gjymtyrë dhe probleme frymëmarrjeje. Asnjë prej tyre nuk është në rrezik për jetën”, tha ministria.

Përveç të ashtuquajturës zona 4, ku gjenden shtëpitë 2-katëshe në kontenier të emigrantëve, flakët përfshinë edhe një fushë nafte aty pranë, por ato u shuan shumë shpejt. Zjarri në kontenierë u përhap me shpejtësi, pasi zjarrfikësit u detyruan të largoheshin nga vendi, të sulmuar nga qindra refugjatë.

12 mijë vetë gjenden në kampin e Morias në Lesbos, që ka një kapacitet prej vetëm 3 mijë personash. Në vitin 2018, agjencia e OKB-së për refugjatët i kërkoi Greqisë t’i zhvendoste azilkërkuesit nga Lesbosi pasi mediat ekspozuan kushtet mjeruese atje. 

Shkarkoni aplikacionin e A2