Komisioneri për Zgjerimin, kandidati Trocsanyi rrëzohet, Hungaria gati emrin e ri

Publikuar më: 30/9/2019, ora 19:53

Komisioneri për Zgjerimin, kandidati Trocsanyi rrëzohet, Hungaria gati emrin e ri

Publikuar më: 30/9/2019, ora 19:53

Oliver Varhelyi, ky mund të jetë emri i ri në drejtim të zgjerimit të Bashkimit Europian. Sipas asaj që raporton Reuters, Hungaria pritet ta propozojë atë për komisioner në ekipin e presidentes së zgjedhur, Ursula Von Der Leyen.

Varhelyi aktualisht shërben si ambasador i Budapestit në Bruksel. Ky zhvillim vjen pasi Parlamenti Europian rrëzoi kandidatin e parë të zgjedhur nga kryeministri, Viktor Orban. Varhelyi do të zëvendësojë ish ministrin hungarez të drejtësisë, Laszlo Trocsanyi, i cili ishte propozuar si eurokomisioner për Zgjerimin, por që u rrëzua nga Komisioni Ligjor i Parlamentit Europian për shkak të konfliktit të interesit.

Vendimi i këtij organi solli mjaft pakënaqësi në Hungari. “Padrejtësia, mungesa e transparencës, shkelja e pastër dhe e qëllimshme e rregullave, ligjeve dhe procedurave si dhe dështimi në respektimin e principeve themelore të demokracisë më risjellin në mendje një kohë, të cilën e mendoja të përfunduar”, u shpreh Laszlo Trocsanyi.

Një reagim lidhur me këtë erdhi dhe nga qeveria e Budapestit. Zëdhënësi i ekzekutivit të Viktor Orban tha se i vetmi krim i Trocsanyit është që ka mbrojtur Hungarinë nga emigrantët. Ndërkohë, Von Der Leyen përballet dhe me një pengesë tjetër në konfirmimin e skuadrës së saj për Komisionin Europian. Ajo i ka kërkuar Rumanisë që të propozojë një emër tjetër për komisioner, pasi edhe Rovana Plumb u rrëzua nga Parlamenti Europian për shkak të konfliktit të interesit.