PD: Udhëtimi në Barcelonë i Maznikut është paguar nga buxheti

Erion Veliaj ka mashtruar për paratë e udhëtimit në Barcelonë. Udhëtimi nuk u pagua nga kompania “Fusha”, por 9 milionë lekë për 2 ditë në Barcelonë u paguan nga paratë e taksave. Kështu pretendon Partia Demokratike, e cila ka publikuar një dokument, ku sipas saj ëshë bërë tenderimi i udhëtimit, me një fond limit prej 15 milionë lekësh.

“Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj duhet të merret gjithashtu nën hetim. Partia Demokratike ka zbuluar fakte zyrtare që provojnë se Bashkia e Tiranës ka mashtruar opinionin publik për paratë që u përdorën në udhëtimin e Barcelonës”, tha ish-deputetja e PD, Dhurata Çupi.

Dokumenti i prokurorimit publik, sipas PD

“Pas zbulimit të skandalit për pagesën 1816 euro me kartën e kreditit të pronarit të kompanisë Fusha, Bashkia e Tiranës deklaroi për Zërin e Amerikës se “nuk ka shpenzuar fonde të Bashkisë për udhëtimin në Barcelonë. E vërteta është krejt tjetër. Dokumenti i Agjencisë së Prokurimit Publik provon se Bashkia e Tiranës ka shpenzuar mbi 9 milionë lekë për udhëtimin në Barcelonë, ku ka marrë pjesë jo vetëm nënkryetari në hetim i Bashkisë së Tiranës, por edhe Kryetari Erion Veliaj. 

Në reagimin për Zërin e Amerikës, për të justifikuar pagesën prej 1816 euro të hotelit të Maznikut prej kompanisë Fusha, Bashkia deklaroi se të gjitha shpenzimet e udhëtimit i pagoi kjo kompani që ndërtoi sheshin Skënderbej. Dokumenti i Agjencisë së Prokurimit Publik është një provë e mashtrimit flagrant që Erion Veliaj u ka bërë qytetarëve të Tiranës, duke i gënjyer ata dhe median për udhëtimin luksoz dy ditor në Barcelonë”.

Shkarkoni aplikacionin e A2