Rritja e ekonomisë, nuk kapërcen 2.3% në 3-mujorin e dytë

Ekonomia shqiptare është rritur me ritme anemike edhe në tremujorin e dytë të këtij viti, duke qenë larg parashikimit të qeverisë. Vetëm 2.3% rritje, pak a shumë e njëjta normë me tremujorin e parë, e përgjysmuar kundrejt objektivit prej 4% të ekzekutivit shqiptar. 

Të dhënat e detajuara tregojnë për një situatë të përkeqësuar në energjetikë, industri, ndërtim dhe në pjesën e shërbimeve që lidhen me artin dhe argëtimin. Ndërkohë që rritja në sektorët e tjerë, ndonëse pozitive është thuajse e papërfillshme.

“Kontributin kryesor në këtë rritje e kanë dhënë degët; tregti, transport, akomodim dhe shërbim ushqimor me 0.71%. Administrata publike, arsimi dhe shëndetësia 0.2%, aktiviteti i bujqësisë, pyjeve dhe peshkimit me 0.41%, aktivitete të pasurive të paluajtshme me 0.35%, aktivitetet financiare dhe të sigurimit me 0.3%”, shpjegoi Elsa Dhuli, Drejtore e Përgjithshme e komanduar e INSTAT.

Në tremujorin e parë të këtij viti, ekonomia u rrit me 2.2%, dhe thuajse në të njëjtën masë edhe në tremujorin e dytë. Rritja po penalizohet nga tkurrja e konsumit dhe rënia e besimit në ekonomi, e ushqyer edhe nga kriza politike në vend. Ndërkaq më herët, edhe institucionet financiare ndërkombëtare, si Banka Botërore dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar kishin parashikuar një ecuri të ngadaltë të ekonomisë për vitin 2019, ndryshe nga optimizmi i tepruar i qeverisë. Ato kanë folur konkretisht për një rritje nga 3.5 deri në 3.6%. 


Nga ana tjetër, pesimiste ka qenë edhe Banka e Shqipërisë me një parashikim rritje prej 3.8% përballë objektivit të vendosur prej 4.3% të ekzekutivit, të cilit i qëndron akoma, të paktën për momentin.

Shkarkoni aplikacionin e A2