Seanca parlamentare, deputetët diskutojnë për masat pas tërmetit

Kuvendi i Shqipërisë i dedikon një seancë të posaçme shqetësimeve të qytetarëve. Pas një jave ku nuk iu është dashur të punojnë në komisionet parlamentare deputetët vazhdojnë të diskutojnë në Kuvend.  

Pasojat nga tërmeti i 21 shtatorit zuri pjesën kryesore të debatit në seancën parlamentare, ku për herë të parë deputetët diskutojnë problemet e elektoratit.

Socialistët u fokusuan tek masat që u morën pas tërmetit, ndërsa opozita në Kuvend u ndal tek marrëveshja mes Partisë Demokratike dhe Partisë Socialiste dhe reforma zgjedhore.

Ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka deklaroi nga foltorja e Kuvendit se janë marrë të gjitha masat për përballimin e situatës pas tërmetit. Sipas saj, grupet e ekspertëve kanë shkuar në terren për të verifikuar të gjitha banesat e dëmtuara dhe premtoi një ndërhyrje të shpejtë për riparimin e tyre.

“Janë disa qindra banesa të cilat kanë pësuar dëmtime që i kanë bërë të pabanueshme. Në çdo rast bëhet fjalë për banesa të vjetra, shtesa ose banesa të ndërtuara jashtë çdo kriteri të sigurisë teknike., Garantoj banorët e prekur që ky fond solidaritetit për rimëkëmbjen e banesave por edhe fondet e tjera të akorduara nga qeveria apo pushteti vendor shumë shpejt do të bëjnë të mundur rehabilitimin dhe përballimin e situatës post-tërmet”, deklaroi ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka.

Ndërsa ish ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj kërkoi transparencë lidhur me pasojat reale të tërmetit dhe e konsideroi të domosdoshme azhornimin e hartës sizmike të vendit për të caktuar zonat me risqet më të mëdha.

“E vlerësoj të domosdoshme një transparencë shumë më të mirë dhe më serioze lidhur me pasojat reale të tërmetit në shkallë vendi si një përgjegjësi ndaj qytetarëve, por dhe si një pasqyrë serioze përballë inflacionit të fjalës online, por dhe mundësisë së abuzimit. Më së paku, është domosdoshmëri nevoja për dokumentimin shkencor të dëmeve, azhornimin e hartës sizmike të vendit, ndërmarrja e një analize shkencore për të përcaktuar zonat problematike që sjellin risqe të mëdha nga tërmeti”, tha Xhafaj.

Shkarkoni aplikacionin e A2