Shkarkimi i Metës, Zeneli: Komisioni mund të dalë me dy raporte

Deputeti Alban Zeneli, njëkohësisht nënkryetar i Komisionit Hetimor për shkarkimin e Presidentit Ilir Meta, zbuloi në studion e Ditari në A2 se komisioni mund të dalë me dy raporte: një nga mazhoranca dhe një nga opozita.

“Komisioni mund të ketë dy raporte: mazhoranca mund të ketë të vetin, ndërsa pakica të vetin. Meqënëse shumë gjëra kanë shkuar ashtu si nuk duhet, besoj se komisioni do të dalë me dy raporte hetimore”, deklaroi Zeneli.

Sipas tij, integriteti i këtij komisioni është cenuar nga opinionet politike të politikanëve.

“Nuk kam qenë dakord që politikanët aktivë të komisionit të japin opinione politike, pasi kjo e cenon deri diku edhe integritetin e këtij komisioni hetimor. Duhet të jemi të kujdesshëm. Komisioni ka për detyrë të zbatojë Kushtetutën, ligjin për komisionet hetimore parlamentare dhe kjo është më e rëndësishme se çdo opinion politik që ka secili prej nesh. Opinionet politike që janë dhënë janë shumë të gabuara. Ky komision heton në fund të fundit dhe çdo opinion politik deputetët e kanë dhënë kur kanë votuar për ngritjen e komisionit. Në përfundim të hetimit, çdo deputet i Kuvendit do të japë vendim politik, që në fund do ta marrë në shqyrtim Gjykata Kushtetuese”, theksoi Zeneli.

Gjithashtu, Alban Zeneli nuk përjashtoi mundësinë e krijimit të një partie të re: “Kodi i ri Zgjedhor, me ndërhyrjen e partnerëve tanë, është domosdoshmëri. Që shqiptarët të kenë mundësi që të zgjedhin. Listat i vendosin krerët e partive dhe qytetari detyrohet të votojë atë që i ofrojnë, jo atë që do ai”.

Shkarkoni aplikacionin e A2