Spaho: Kriza zgjidhet vetëm me zgjedhje të parakohshme dhe të ndershme

Nënkryetari i Partisë Demokratike, Edmond Spaho, u shpreh në studion e Ditari në A2 se “indirekt në raportin e OSBE dhe direkt në raportin e Bundestagut theksohet se është domosdoshmëri kapërcimi i krizës me mjete politike” dhe “në këto kushte, opozita ka nisur përgatitjet që kur të përcaktohet një datë për zgjedhjet e parakohshme, të jemi të gatshëm të hyjmë me të gjitha kapacitetet tona”.

Sipas Spahos, “nuk ka rrugë tjetër për zgjidhjen e krizës përveç zgjedhjeve të lira dhe të ndershme”.

“Mazhoranca duhet të kuptojë që vendi është në krizë të thellë dhe e vetmja mënyrë është që të ulet me opozitën dhe të gjejë modalitetet që do të na çojnë në zgjedhje të lira. 30 Qershori tregoi që qeveria e Edi Ramës nuk organizon dot zgjedhje të ndershme. Pavarësisht se Reforma Zgjedhore është e rëndësishme, ajo vetë në tërësi është e pamjaftueshme për të garantuar zgjedhje të lira dhe të ndershme. Është i domosdoshëm vullneti politik për të mos prekur zgjedhjet dhe të qeverisë ajo forcë që është në gjendje që të bindë shumicën e qytetarëve”, deklaroi Spaho.

Nënkryetari demokrat përsëriti kushtin për një “qeveri tranzitore pa Edi Ramën”.

“Qeveri me Edi Ramën nuk pranojmë më. Ia dhamë një herë këtë mundësi, por e pamë se si përfunduan zgjedhjet e vitit 2017”, tha Spaho.

Në lidhje me raportin paraprak të Komisionit të Venecias, Spaho u shpreh: “Komisioni është marrë ngushtësisht me një çështje juridike, por nuk mund të komentoj raportin paraprak. Mendimi ynë është që Presidenti, bazuar në Kushtetutë, në kushtet kur ekzistonte mundësia e përplasjes civile, shtyu zgjedhjet dhe mendojmë se veproi drejtë”.

Shkarkoni aplikacionin e A2