Zgjedhjet në Austri, për analistët “Kurz i favorizuar nga mosha, politikat s’ndryshojnë”

Publikuar më: 30/9/2019, ora 16:07
GettyImages 1137533819.0 1024x683

Zgjedhjet në Austri, për analistët “Kurz i favorizuar nga mosha, politikat s’ndryshojnë”

Publikuar më: 30/9/2019, ora 16:07

Kancelari 33 vjeçar i Austrisë, Sebastian Kurz, dhe partia e tij popullore Ovp ishin fituesit e qartë të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Austri. Kurz siguroi 37.1 përqind të mbështetjeve, 5.7 më shumë se në zgjedhjet e 2017, ndërsa ish partneri i koalicionit nga ekstremi i djathtë, Partia e Lirisë, pagoi faturën e të ashtuquajturit “skandali Ibiza”, duke humbur 10 përqind të elektoratit.

Këtë herë ekspertët ia atribuojnë suksesin e Kurz, moshës së tij të re.

 “Ai është i ri, i freskët. Ishte lideri me i ri i Europës dhe Austrisë. Përdorues i mirë i rrjeteve sociale, ka ditur të lidhet me votuesit përmes një mënyre të re. Mund të shihet si dikush që po i jep një fytyrë moderne platformës së djathtë. Është pak më ndryshe se liderët e Hungarisë dhe Polonisë të cilët mbështesin të njëjtën ideologji”, analizon analisti Kelsey Suter.

Një tjetër parti, ajo e të gjelbërve përfitoi nga shqetësimet në rritje të votueseve për klimën duke siguruar 14 përqind të votave.

Analistët thonë se kursi i politikës austriake nuk pritet të ndryshojë, dhe se Kurz i ka të gjitha mundësitë për të realizuar axhendën e tij. Në koalicion me të gjelbrit do të kishte shumicë absolute, por  dega në Vjenë e partisë duket se kundërshton. Më e lehtë për Kurz do të ishte të bashkëpunonte me “Neot” rozë, një parti e vogël me qëndrime liberale.

Nuk përjashtohet as mundësia e një koalicioni të ri me Partinë e Lirisë, ish lideri i së cilës Hans Kristian Shtrahe u bë shkas për dorëheqjen e Kurz. Ky i fundi u shfaq në një video komprometuese në Ibiza, ku premtonte favore politike në këmbim të mbështetjes financiare nga një oligark rus.