Kur do të hapen realisht negociatat? Shameti jep parashikimin e tij në A2

Deputeti i Partisë Socialiste, Adnor Shameti, i ftuar në studion e Ditari në A2 theksoi se “raporti paraprak i Komisionit të Venecias nuk lë dyshime mbi shkeljen e Kushtetutës nga ana e Presidentit”.

“Pres konfirmimin e atij opinioni në seancë”, deklaroi Shameti, sipas të cilit, raporti paraprak thotë qartë se “anulimi i zgjedhjeve të 30 Qershorit ka qenë në kundërshtim me Kushtetutën, duke iu referuar praktikave të mira dhe legjislacionit “ad hoc” që duhet të ekzistonte në rastet e ndryshimit të datës së zgjedhjeve, por kurrsesi duke kaluar afatet kushtetuese”.

Kur u pyet se sa kohë do të duhet deri në hapjen reale të negociatave, Shameti u përgjigj: “Janë dy kushte: bërja efektive e Gjykatës Kushtetuese dhe asaj të Lartë dhe kompletimi i Reformës Zgjedhore, që do të thotë realizimi i të gjitha gjetjeve dhe sugjerimeve të raporteve të OSBE/ODIHR-it. Të dyja këto kushte unë i shikoj të realizueshme, nuk kanë të bëjnë me vendimmarrje individuale të Partisë Socialiste”.

Në lidhje me Reformën Zgjedhore, Shameti deklaroi: “Ne e kemi të shtrirë dorën, si për opozitën parlamentare, ashtu edhe për atë jashtëparlamentare, për ta realizuar”.

Shkarkoni aplikacionin e A2