Rikthehen hijet e Ajax në “Bernabeu”, Brugge befason Realin

Reali i Madridit u eliminua sezonin e kaluar nga Champions League pas turpit të pësuar në shtëpi nga Ajax-i i talenteve.

Mbrëmjen e së martës, kanë qenë belgët e Brugge që i kanë bërë tifozët e Realit të kujtojnë sërish Ajax-in. Në ndeshjen e vlefshme për grupet e Champions League, Reali është ndalur në një barazim 2-2, duke marrë vetëm një pikë nga kjo ndeshje që në letër vlerësohej e lehtë për skuadrën e Zidane.

Pjesa e parë ishte një katastrofë për madrilenët, të cilët u ndëshkuan dy herë. Emmanuel Dennis ishte autor i dy golave për skuadrën belge.

Në pjesën e dytë, Reali reagon fillimisht me kapitenin Ramos, i cili realizoi një gol me kokë, i cili u diskutua gjatë për pozicion jashtë loje.

Më pas, goli i dytë u shënua nga braziliani Casemiro, por vetëm kaq. Edhe pse Brugge mbeti me një lojtar më pak, goli i fitores nuk erdhi për skuadrën e Zidane.

Në ndeshjen tjetër të luajtur në të njëjtën orë, Atalanta zhgënjeu sërish, duke u mposhtur nga Shakhtar Donetsk në Itali me rezultatin 1-2.

Edhe pse shënuan të parët me anë të Zapata-s, të besuarit e Gasperinit u dorëzuan ndaj skuadrës ukrainase, e cila barazoi në fundin e pjesës së parë me anë të Moraes, ndërsa Solomon vulosi fitoren në minutën e pestë të shtesës.

Shkarkoni aplikacionin e A2