Vokshi: Rama dhe Veliaj shkelin edhe ligjin e tyre korruptiv për grabitjen e tokës publike dhe Teatrit Kombëtar

Ish-deputetja e Partisë Demokratike, Albana Vokshi ka deklaruar se Edi Rama dhe Erion Veliaj kanë shkelur “edhe ligjin e tyre korruptiv për grabitjen e tokës publike dhe Teatrit Kombëtar”.

Sipas Vokshit, kryeministri dhe kryebashkiaku i Tiranës po “mbajnë të fshehtë emrat e kompanive që kanë pranuar të bëhen pjesë e planit mafioz për ndërtimin e 6 kullave”.

“Edi Rama dhe Erion Veliaj po mbajnë në fshehtësi të plotë kompanitë që kanë shfaqur interesin për projektin mafioz të shkatërrimit të Teatrit Kombëtar dhe ndërtimit në truallin e tij dhe në pronën tjetër publike të 6 kullave, ku do të pastrohen paratë e pista nga droga dhe korrupsioni. Data 19 Shtator ishte afati i fundit kur kompanitë duhet të dorëzonin dokumentat, por gati 2 javë pas skadimit të këtij afati, as qeveria, as bashkia nuk bëjnë publike emrat e kompanive që kanë shfaqur interesin për t’u bërë pjesë e planit 200 milionë euro të Edi Ramës. Megjithëse edhe tërmeti i fundit rrëzoi tezën kryesore të Ramës dhe Veliajt se Teatri Kombëtar rrezikon të shembet nga vjetërsia, Edi Rama po vazhdon në fshehtësi planin mafioz për Teatrin Kombëtar, në bashkëpunim me Erion Veliajn, kompaninë Fusha dhe arkitektin Bjarke Ingels”, tha Vokshi.

“Ligji Special për shembjen e Teatrit Kombëtar dhe grabitjen e pronës publike për interesa korruptivë, për shkak të kufizimeve të qëllimshme përjashton de facto kompanitë vendase dhe të huaja nga gara, duke shkatërruar barazinë në garë. Ai vendos si kriter kryesor pronësinë 40 përqind të truallit privat pranë Teatrit nga kompania pjesëmarrëse. Këtë kritër e plotëson Fusha, që paguan 900 euro hotel për nënkryetarin e Bashkisë dhe ndonjë klient tjetër i Edi Ramës që po mbahet e fshehtë. Projekti mafioz dhe kriminal  për ndërtimin e kullave ne tokën publike dhe të Teatrit Kombëtar shkel Kushtetutën, shkel Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit me Bashkimin Europian, nuk ndjek rregullat e Ligjit për Prokurimet për konkurencë të ndershme dhe barazi në tender, shkel Autonominë Vendore dhe disa ligje të tjera”, shtoi Vokshi.

Sipas ish-deputetes, “Edi Rama ka paracaktuar gjithçka për projketin ku synon të pastrojë paratë e pista dhe të fitojë 200 milionë euro. Ka paracaktuar kompaninë fituese, ka paracaktuar edhe projektin për Teatrin e ri, një bashkëpunim kriminal me arkitektin e tij Bjarke Ingels”.

Shkarkoni aplikacionin e A2