21 Janari festë kombëtare? PS paralajmëron refuzimin e propozimit të opozitës

Myslim Murrizi është nismëtari kryesor dhe një nga firmëtarët e opozitës në Parlament, që propozuan shpalljen e 21 janarit festë kombëtare.

Qartazi, referenca është për Konferencën e Lushnjës së vitit 1920, por fakti që përkon me të njëjtën datë të vitit 2011, kur 4 protestues u vranë në bulevard, sipas deputetit demokrat, nuk duhet të kthehet në pengesë. “Nuk është aspak provokim”, thotë Murrizi.

Të njëjtën nismë, Murrizi e ka tentuar edhe në vitin 2017, por atëherë nuk gjeti as mbështetjen e demokratëve.

“Nuk është refuzuar, por politikanët shqiptarë heshtin kur nuk ka tenderë dhe këtu nuk ka”, thotë Murrizi.

Refuzimin e dytë pritet ta marrë nga mazhoranca. Numri dy i socialistëve bëri të qartë në mikrofonin e A2 se nisma nuk ka shanse të kalojë.

“Propozimi është kuptimplotë, është i rëndësishëm, por mesazhi që jep Kongresi i Lushnjës ka lidhje me pavarësinë. Shqipëria nuk mund të jetë një vend me dy data pavarësie”, tha Taulant Balla.

Procedura parlamentare imponon që nisma të mos injorohet, ndonëse jo të gjithë socialistët e kanë mësuar qëndrimin e partisë.

Propozimi është firmosur nga 24 deputetë të opozitës. Në rast se edhe socialistët do t’ia hedhin poshtë, siç bënë demokratët, nismëtari Murrizi ka gati një plan B.

“Do t’i kërkoj me ngulm qeverisë që ajo shtëpia e Kongresit të Lushnjës të bëhet muze”, tha Murrizi.

Shkarkoni aplikacionin e A2