Kosova drejt zgjedhjeve, kush janë favoritët për fitore të dielën?

Dorëheqja e 19 korrikut të këtij viti e kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, i cili kishte marrë një ftesë për të dëshmuar në Gjykatën e Hagës në cilësinë e të dyshuarit për krime lufte e ku preferoi të shkonte në cilësinë e një qytetari të thjeshtë, e çoi Kosovën në zgjedhje të parakohshme parlamentare.

Sot që flasim, Kosova është në kulmin e fushatës elektorale, e ku i kanë mbetur edhe tre ditë kohë për të bindur elektoratin, se pse secili prej tyre meriton votën dhe karrigen e kryeministrit.

Si rrallë herë në Kosovën e pas luftës, gara në këto zgjedhje të pazakonta duket e fortë dhe e vërtetë. Ndoshta dhe për shkak të rivalitetit të emrave në të si Ramush Haradinaj që rikandidon në emër të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Kadri Veseli kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës, kreu i Nismës Social Demokrate, Fatmir Limaj dhe ai Vetëvendosjes, Albin Kurti. Surpriza e kësaj gare është përfaqësimi i LDK-së në të me Vjosa Osmanin.

I ftuar në Ditarin e orës 09:00, Ben Andoni i bëri një analizë situatës dhe kandidatëve.

“Unë mendoj se kjo fushatë ka rregulluar diçka në imazhin e jashtëm, por ndërkohë ka shumë elementë pandershmërie, në atë që nuk shikohet, në deklarimet e njerëzve kryesorë. Akoma dikastere të qeverisë Haradinajn vazhdojnë ende sikur janë në pushtet. Një gjë të tillë po e bëjnë disa dikastere.

Zonja Osmani duket se është figura më e kuruar për momentin, pasi nuk ka njolla në dukje që mund ta pengojnë dhe ka trendin më të madh për ta ofruar drejt pushtetit. I vetmi problem i saj është mënyra se sa do të përafroi qëndrimin e LDK në këtë kohë. Kjo është shumë e vështirë dhe tani duhej një person me stof teknik. Megjithatë, Osmani është një lloj risie.

Kadri Veseli po mundohet të ndryshojë trendin e partisë, por ditët e fundi ka bërë disa gabime imazhi. Aleancën e SHBA, ai e ka kthyer gati në sloganin kryesor. Veseli ka qenë gjithmonë njeri i hijeve, ndërkohë nuk është provuar në ekzekutiv.

Zoti Kurti është në një betejë shumë të vështirë. Kurti, jashtë problematikave që ka, ka bërë një gjë të mirë gjatë kohëve të fundit, duke “rekrutuar” te VV shumë njerëz me përgatitje intelektuale. Por problemi i tyre është gati themelor dhe e kam fjalën për atë të simboleve. Ai duhet ta zgjidhte këtë shumë muaj përpara.

Zoti Limaj ka një problem besimi dhe një problem kaosi sa i përket qëndrimeve të tij. Problemi i madh është aleanca që ka bërë. Kjo tregon që ata nuk janë të qartë me pozicionin e tyre. Mund të jenë shumë afër LDK-së”, tha Ben Andoni.

Shkarkoni aplikacionin e A2