Rritja ekonomike vetëm 2,3%, Shalsi: Shkaktarët janë dy faktorë

Ekonomia është e para. Prej saj varen paratë që marrim dhe jeta që bëjmë. Të dhënat e fundit zyrtare tregojnë se ritmet e rritjes janë ngadalësuar, duke mos sinjalizuar asgjë të mirë më pas, në një reaksion zinxhir tek biznesi, tregu i punës apo të ardhurat e disponueshme.

Rritja ekonomike 2,2% nga 4 që ishte parashikuar nga qeveria, sipas ministrit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes, Eduard Shalsi, vjen nga dy faktorë.

“Ajo që shpjegon pse jemi në këto nivele të rritjes ekonomike është shkak i dy faktorëve. Sektori i lojrave të fatit dhe sektori energjitik, që për shkak të thatësirës ka ndikuar jo pak për keq. Por janë edhe efektet e projektit TAP, që ka një reflektim që manifestohet te tkurrja e sektorit të ndërtimit. Sektorët e tjerë kryesorë kanë performuar sipas parashikimit. Shqipëria ka nevojë për stabilitet strukturor për gjenerimin e të ardhurave. Ne po punojmë për këtë, por e vërteta është që kur shkon nga një rritje ekonomike 0% dhe tenton të ngrihesh, luhatjet janë normale”, tha Shalsi.

Sipas ministrit, nuk ka vend në botë që rritet me ritme të shpejta duke u nisur nga zeroja.

“Më tregoni një vend në botë, i cili brenda një mandati ose dy mandatesh ka kaluar nga zero në 6%. Në këtë vend janë bërë disa reforma të jashtëzakonshme. Reformat kanë qenë të drejta dhe të dhimbshme”, theksoi Shalsi.

Por, për ekspertin e ekonomisë, Rezart Prifti, ekonomia jonë nuk të jep ndjesinë e sigurisë.

“Struktura e ekonomisë sonë nuk ka pasur ndonjëherë prioritete. Kishim rritje ekonomike nga KESH-i dhe e mbajtëm flamur të rritjes. Sot janë grumbulluar problemet”, tha Prifti.

Shkarkoni aplikacionin e A2