A po e heqin nga puna Neritan Liçajn? Aktori zbulon gjithçka në “Dita jonë”

Ditën e djeshme ka qarkulluar një lajm në rrjetet sociale ku thuhet se aktorit Neritan Liçaj po i bëhen letrat për ta hequr nga puna.

I ftuar në studion e emisionit “Dita jonë” në A2, Liçaj i konfirmoi këto zëra.

“Është e vërtetë, jam lajmëruar që po më bëhen letrat për të më pushuar nga puna. Kjo është një hakmarrje, por nuk më tremb ky fakt, pasi tregon se si po degradon kjo qeverisje e çartur që na sulmoi politikisht në radhë të parë. Na sulmoi me polici dhe tani po na sulmon edhe personalisht”, tha aktori.

“Mendoj se do të tërhiqen pasi reagimi qytetar ka qenë shumë i fortë. Njerëzve i ka ardhur në majë të hundës nga kjo arrogancë në qeverisje. Unë kam qenë shumë korrekt në punë, është thjesht raprezalje. Nuk më ka thirrur njeri zyrtarisht, por një burim shumë i sigurtë më ka thënë se po më bëhen letrat për të më hequr nga puna”, shtoi Liçaj.

Kur u pyet nëse beson se pas kësaj gjëje është kryeministri Edi Rama, aktori tha: “Besoj se pas kësaj është një urdhër i kryeministrit, pasi kam bindjen se drejtori i teatrit, pavarësisht “fërkimeve” që kam patur me të, nuk do të më hiqte kurrë nga puna. Kryeministri po bën raprezalje për të asgjësuar artin. Që kur ka qenë ministër i Kulturës është përpjekur me çdo kusht të asgjësojë Teatrin Kombëtar”.

Shkarkoni aplikacionin e A2