Basha: Rama kërkon t’i ikë përgjegjësisë. Kushtet nuk reflektojnë problemet e brendshme të gjermanëve

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, deklaroi se nëse Bashkimi Evropian do të ishte kundër zgjerimit, nuk do t’i thonte po Maqedonisë së Veriut dhe jo Shqipërisë për hapjen e negociatave.

Në fjalën e tij në Kuvend, kryeministri Edi Rama tha se procesi i integrimit europian ka ndryshuar aq sa edhe vendet tashmë anëtare nuk do të futeshin dot në BE.

Basha theksoi se “Shqipëria është në krizë, shqiptarët po largohen nga vendi dhe kushtet e Evropës për Shqipërinë sa vijnë e shtohen, ndërkohë që vendet e tjera të Evropës ecin përpara”.

“Nëse BE do të ishte kundër zgjerimit, pse këto vende i thonë PO Maqedonisë së Veriut dhe JO Shqipërisë? Sepse Rama ka dështuar dhe kërkon t’i ikë përgjegjësisë. Duke i ikur përgjegjësisë për bashkëpunimin me personat në listën e zezë të Amerikës, Rama jo thjesht mundohet të heqë fajin, por fakton se ai nuk e do integrimin evropian”, deklaroi Basha.

“Cili nga 9 kushtet reflekton probleme të brendshme të politikës gjermane? Cili nga dy kushtet e reja? Është përpjekje e dalë boje për të hedhur fajin gjetkë. Nuk është momenti për të vazhduar më këtë lojë 6-vjeçare të hedhjes së fajit, kur përgjegjësi është vetëm Edi Rama. Kushtet e Bundestagut janë udhërrëfyes për daljen nga kriza. Nuk kemi kohë për të humbur me njërëz që kanë dështuar dhe tani nuk duan të mbajnë përgjegjësi. Ka ardhur kohë që Rama të hapë krahun dhe të lejojë një vizion të ri që nxjerr Shqipërinë nga kriza. Nuk e meritojnë shqiptarët të mbeten prapa Maqedonisë së Veriut. Jemi popull i zgjuar, por kemi udhëheqjen e gabuar, me dështime të shumta dhe të lidhur me krimin”, shtoi Basha.

Shkarkoni aplikacionin e A2