Limaj: Dialogu me Serbinë? Kosova nuk mund të refuzojë tryezën, sa herë është ulur ka dalë e fituar

Fatmir Limaj, kreu i Partisë Nisma, i intervistuar nga A2 në prag të zgjedhjeve parlamentare që do të mbahen me datë 6 tetor, thekson prioritetet e Partisë së tij si dhe për vendimet e rëndësishme me të cilët Qeveria e ardhshme do të përballet.

 “Nuk janë vetëm zgjedhjet e radhës, për shkak të temave që presin vendin tonë, që janë jashtëzakonisht te rëndësishme. Prandaj forcat politike kosovare duhet të jenë të bashkuara në këto tema për t’i mbyllur njëherë e përgjithmonë. Prandaj edhe slogani i partisë, Bashkë për Shtetin, e ka këtë kuptim”, thotë Limaj.

Kreu i Nismës numëron 5 shtylla të fushatës, që janë dhe 5 prioritetet e vendit, “Dialogu dhe politika e jashtme, bujqësia, reforma në drejtësi, diaspora, dhe reformimi i thellë i shtetit të Kosovës”. Limaj ndalon tek reforma në Drejtësi.

“Ne kemi shume defekte, por të gjithë treguesit thonë se jemi më mirë se Maqedonia, Mali i Zi , Serbia por edhe se Shqipëria. Por ne nuk jemi të kënaqur, ka defekte. Për shembull, duhet të matet performanca e gjykatësit dhe prokurorëve. Një prokuror që humbet tre kauza ose është dembel, ose i paaftë, ose i kapur nga korrupsioni dhe politika. Gjithësesi nuk mund të mbetet prokuror, por mund të jetë një këshilltar gjyqësor, brenda sistemit, sepse ne nuk jemi për përjashtime”.

Për sa i përket dialogut me Serbinë, Limaj thotë se “atë që mund të them është që na duhet një konsensus sa më i fortë mes nesh në Kosovë.  Kemi divergjenca por kjo nuk do të thotë që nuk mund të ulemi në tavolinë. Me Serbinë në Rambouillet zgjodhëm paqen, në Vjenë negociuam për statusin, dhe erdhi Pavarësia e Kosovës. Sot  jemi në një fazë tjetër, për rindërtimin e fqinjësisë së mirë. Ne ende nuk kemi një qëndrim zyrtar të Serbisë, por vetëm opinione të liderëve serb, nuk e dimë çmimin që ata duan që Kosova të njihet”. 

Për kreun e Nismës, gjithsesi  “Kosova nuk mund të refuzojë tavolinën e dialogut, sepse sa herë është ulur ka fituar”.

“Qëndrimi im është që Kosova duhet të njohë Serbinë dhe Serbia Kosovën. Pas njohjes si dy shtete të barabarta, patjetër që duhet të bëhet delimitimi i kufijve, siç kemi bërë me Malin e Zi dhe Shqipërinë. Asnjë shkëmbim nuk ka”, deklaroi Limaj.

Shkarkoni aplikacionin e A2