Peniani teston raketën, analistët të alarmuar por për Trump është “praktikë standarde”
Është provokimi më i rëndë i Kim Jong Un në shumë vite. Komandanti suprem i Koresë së Veriut u duk se vuri në provë durimin e presidentit amerikan, Donald Trump, pas testimit të një rakete balistike në det.
Sipas Joseph Yun, ish i dërguar i posaçëm i Shteteve të Bashkuara për politikat e Koresë së Veriut, “ai po përcjell mesazhin se mund t’i bëjë këto lloj testesh kur të dojë”.
Këtë herë Kim i kaloi pritshmëritë, pasi testoi raketë me rreze të mesme veprimi, e cila mund të arrijë shënjestra shumë më të largëta se ato me rreze të shkurtër, të lëshuara vitin e kaluar.
Ka dhjetëra mijëra amerikanë në Korenë e Jugut dhe në Japoni. Personel ushtarak apo civilë të cilët kërcënohen nga këto raketa. Është diçka e rëndë”, shton analisti Richard Fisher.
Më konkretisht, rreth 80 mijë trupa amerikane në Korenë e Jugut dhe Japoni janë brenda shënjestrës të raketave të testuara nga Kim Jong Un këtë vit. Ato përbëjnë shkelje të rezolutave të OKB, por Trump është përpjekur të çdramatizojë.
“Ai ka ndërtuar raketa me rreze të mesme, por kështu bën çdo vend. Është një praktikë standarde”, ka thënë Trump.
Por ekspertë të çështjes thonë për CNN se duke testuar raketa me rreze të mesme dhe të shkurtër, Kim po avancon teknologjinë për ato me rreze të gjatë që mund të godasin SHBA. Ekspertët janë të alarmuar për aftësinë e Penianit për lëshimin e raketave nga nëndetëset.
Imazhe satelitore tregojnë aktivitet të ri në një kantier detar dhe ka foto të Kim që inspekton një nëndetëse në ndërtim. Mjeti me shumë gjasë mund të mbajë raketa të shumta bërthamore dhe mund t’i japë diktatorit Korean elementin e surprizës kundër armiqve.