Pranverë/verë 2020, toka dhe mjedisi mbizotërojnë koleksionet e reja

Po pyesni veten se çfarë të vishni verën e ardhshme. Ngjyra dhe printime të të gjitha llojeve dhe formave, që stilistët prezantuan në javën e modës në Nju Jork, Londër, Milano dhe Paris.

Shtatori dhe fillimi i tetorit iu dedikua modës, në 4 javë të plota, me prezantimet e koleksionit të ri pranverë/verë 2020. Ngjyra të ndritshme, printime kafshësh dominuan pasarelën e Jeremy Scott, si trendet e 2020 në Nju Jork. Fustanet polka ishin përzgjedhja e Tommy Hilfiger dhe Zendaya, ndërsa Carolina Herrera sugjeron sërish lulet.

“Trendi më i madh që pashë gjatë javës së modës në Nju Jork ishte ngjyra jeshile, që dukshëm pritet të jetë ngjyra e vitit të ardhshëm. Pashë shumë jeshile në pasarelë, për të cilën jam shumë e lumtur sepse unë mendoj se duhet të vishemi me ngjyra”, tha Marielle Bobo, drejtore mode e revistës “Essence”.

Drejtorja e modës në revistën “Essence” thotë se vitin e ardhshëm do të spikasin edhe printimet. “Më pëlqen edhe vazhdimësia që do të kenë printimet. Mendoj se të gjithëve na pëlqen për këtë periudhë të vitit. Ato i pamë jo vetëm në Nju Jork, por edhe në Londër dhe Milano”.

Një koleksion shumëngjyrësh u prezantua edhe në Londër, në këpucë dhe veshje, nga Molly Goddard dhe Victoria Beckham.

“Kemi parë gjëra të jashtëzakonshme në koleksionet për 2020 në Londër. Kemi parë përdorimin e ngjyrave, me tone mikse të nudit dhe ngjyrave të forta si portokallija, jeshilja dhe bluja. Interesant ishte përdorimi i detajeve, kryesisht palave dhe frutheve”, tha Pd Williams Stiliste.

Thekët spikatën në koleksionin e Burberry, me drejtorin kreativ Riccardo Tisci që kish zgjedhur të dekoronte gjithçka, fundet, pantallona e fustane. Ai vinte në pah natyrën, me pemë të prera e printime kafshësh e lulesh.

Tema e natyrës dominoi edhe Javën e Modës në Milano, ku Giorgio Armani e kish quajtur koleksionin e tij “Tokë”, ndërsa tema e xhunglës dominoi sfilatën e Versace dhe Dolce & Gabbana, kryesisht me motive tropikale. Me printime te leopardit dolën mbi pasarelë modelet e Dolce & Gabbana, për të rikthyer edhe një herë vëmendjen te safari. Ajo që dominoi ishte printimi i papagallit dhe pelikanit.

“Kemi parë shpërthime ngjyrash dhe stilesh në Minalo, nga stili i xhunglës i Versaces, përfaqësuar në pasarelë nga Jennifer Lopez e deri tek koleksioni i fuqishëm i Dolce & Gabbana apo ngjyrat e Fendit. Dukshëm është një fillim i ri”, tha Silvia Grilli kryeredaktore e revistës “Grazia”.

Ngjyra jeshile pushtoi edhe Javën e Modës në Paris, me Christian Dior që zbuloi pamjen e 2020-ësme stilin unik, ndërsa Stella McCartney solli veshje të lehta, ku mbizotëronin lulet në copën poliestër të ricikluar dhe pambuk organik.

“Këtu në Paris kemi parë koleksione shik, krijuar për zonjat. Këtë sollën shtëpitë më të mëdha të modës, duke rikthyer kryesisht shekullin e 18. Ngjyra që dominoi në Paris ishte bluja, kryesisht bluja e pastër, ajo oqeanike”, tha Godfrey Deny, redaktor i “fashionnetwork.com”.

Industria mjedisore po prek gjithnjë e më shumë konsumatorët dhe shtëpitë e modës e kanë kuptuar këtë më së miri, sidomos Burberry dhe Dior. Dukshëm toka dhe mjedisi kjo është fjala më e madhe e sezonit. Christian Dior solli konceptin e pyjeve, njësoj si Channeli mbi çatitë e Parisit”.

Shkarkoni aplikacionin e A2