Sekuestrohen mbi 12 milionë kuaj deti, në treg vlenin 6 milionë $

Një anije me 12,3 milionë kuaj deti që të cilët po dërgoheshin në mënyrë të paligjshme në Azi është sekuestruar nga autoritetet peruane. Roja Bregdetare pikasi anijen “Adonay” rreth 200 milje detare larg bregut të qytetit `Kajao, duke e detyruar të kthehet më pas në portin më të madh të peshkimit të Perusë.

Zyrtarët thanë se kuajt e detit ishin marrë në mënyrë të paligjshme nga ujërat e oqeanit Paqësor dhe paketuar në 55 kuti me një peshë mbi 1000 kilogramë. E gjithë sasia është vlerësuar se vlen 6 milionë dollarë, që do të përfitohej duke u shitur në tregun ndërkombëtar. Hetuesit peruanë thanë se kuajt e detit konsiderohen “lëndë e parë” në mjekësinë popullore kineze dhe mendohet se luajnë rol në kurimin e shterpësisë, rënies së flokëve, astmës dhe artritit.

Peshkimi dhe shitja e kuajve të detit është ndaluar në Peru që prej vitit 2004. Policia arrestoi tre shtetas peruanë dhe një venezuelas, të cilët nëse shpallen fajtor mund të dënohen nga 3 deri në 5 vite burgim.

Shkarkoni aplikacionin e A2