Haradinaj nuk ndryshon qëndrimet e tij: Taksa ndaj Serbisë, deri në njohje

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Ramush Haradinaj, tha në një intervistë ekskluzive për A2 se nuk do të ndryshojë asnjë nga politikat e tij të deritanishme nëse merr dhe një mandat tjetër në drejtim të vendit.

Taksa 100%

Serbia e ka deklaruar kohën time të qeverisjes si kohë të vendimeve të njëanshme, si rasti i ushtrisë dhe i taksës. Kanë qenë vendime të njëanshme, por sovrane dhe legjitime, që duhen respektuar nga të gjithë. Deri tani, Serbia na ka dënuar me vendime të ndryshme, ndërsa ne i kemi dhënë një dënim ekonomik me aq sa kishim mundësi, deri në njohje”.

“Nuk marr pjesë në dialog me Serbinë pa marrëveshje kornizë”

“Unë nuk dua të marr pjesë në një proces që nuk është i qartë për vendin tim. Nëse nuk ka marrëveshje-kornizë dhe pa ditur aspektin kohor, pse të bisedojmë? Nëse është proces i stërzgjatur, do të dërgoja nivele të tjera, më të ulëta. Një kryetar qeverie duhet të fokusohet për tema të tjera të ekonomisë së vendit. Serbia është e penguar për të avancuar më përpara pa e zgjidhur çështjen e Kosovës. Ne nuk e lidhim fatin tonë me disponimin e Serbisë sepse fatin tonë e kemi krijuar vetë”.

“Premtimet i kemi mbajtur”

“Detyrat e shtëpisë për liberalizimin e vizave i kemi bërë në kohë rekord, por proceset e brendshme të BE-së e kanë penguar rezultatin për ne.
Në luftën kundër krimit dhe korrupsionit ka pasur fuqizim të organeve të rendit, të ligjit dhe gjyqësorit”

Largimi i të rinjve nga Kosova

“Vazhdon ende trendi i largimit të të rinjve nga Kosova. Është një ofertë më e mirë e ekonomive të tjera. Për momentin, në vendin tonë, industria e “call center” do të thithë rreth 35 000 të punësuar me pagë minimale rreth 700 euro”.

“Shkëmbimi i territoreve, kthim prapa”

“Ideja e Kosovës shtet është minimum shpërblimi për të drejtën shqiptare në Ballkan. Kosova u njoh në vitin 2008 dhe hapja sërish e kësaj të drejte, rikthimi në 16 shkurt 2008, është si të kthehesh në Shqipërinë para vitit 1912. Është të rrezikosh atë që kemi arritur të gjithë së bashku. Ka qenë gabim i madh pranimi për të diskutuar hapjen e arritjes më të madhe të shqiptarëve në shekullin e fundit. Do të ishte kthim prapa. Mendoj se kanë qenë 3 arsye pse nuk ndodhi ndarja: komponenti i sigurisë në Amerikë, ata e kuptuan që mund të ishte projekt rus; Londra dhe Berlini u pozicionuan qartë dhe rezistenca ime si kryetar qeverie.

Shkarkoni aplikacionin e A2