“Korrupsioni dhe droga”, Holanda: Shqipëria nuk është gati për BE

Holanda kritikon sërish Shqipërinë. Ministri i Jashtëm, Stef Blok, pas mbledhjes së Këshillit të Ministrave, përsëriti skepticizmin për çeljen e negociatave të anëtarësimit nga Bashkimi Europian me vendin tonë.

Sipas asaj që raporton media e njohur holandeze, “The Telegraaf”, Blok është shprehur se Shqipëria nuk është ende gati për anëtarësimin në BE.  “Shqipëria duhet të ndërmarrë hapa të mëtejshëm, veçanërisht në luftimin e korrupsionit dhe përmirësimin e sundimit të ligjit”, deklaron Blok.

“The Telegraaf” risjell në vëmendje aprovimin e një rezolute nga parlamenti i Holandës në qershor, me anë të së cilës shprehej kundër çeljes së negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë. E ndërsa për Maqedoninë e Veriut, qeveria e Amsterdamit nuk sheh asnjë pengesë, për vendin tonë mbetet problem kryesor niveli i lartë i korrupsionit dhe trafiku i drogës.

Media holandeze thekson se Ministrat e Jashtëm të BE-së do t’i diskutojnë këto probleme gjatë samitit të Unionit që mbahet më 17 dhe 18 tetor. Gjithashtu, citon media të tjera britanike, si “The Guardian” apo “The Indipendent” që e kanë pagëzuar Shqipërinë si “Kolumbia e Europës” për shkak të trafikut të drogës.

Shkarkoni aplikacionin e A2