Më 9-10 tetor firmoset marrëveshja trepalëshe, Ukshini: Nuk ka Shengen pa Kosovën

“Çdokush që hyn në Shqipëri të jetë njëkohësisht i regjistruar në të dhënat e Kosovës dhe çdokush që hyn në Kosovë të jetë i regjistruar në të dhënat e Shqipërisë. Të njëjtën marrëveshje ne do tí propozojmë Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi, të njëjtën marrëveshje, uroj dhe shpresoj më herët se vonë, ta kemi edhe me Serbinë”, shprehet Kryeministri Rama një vit më parë.

Ideja për të krijuar Shengenin ballkanik, nuk lindi më 31 dhjetor të 2018, kur Rama njoftoi se do të njehsohej fillimisht kufiri me Kosovën më pas me vendet e tjera. E as nuk lindi në Nju Jork, ku Vuçiç njoftoi pas takimit me kryeministrin shqiptar se do të mblidhen më 9-10 tetor në Novi Sad për të firmosur marrëveshjen edhe me Maqedoninë e Veriut, pa praninë e Kosovës.

Mirëpo, Prishtina zyrtare i bën të qartë Tiranës, se pa të, nuk do të ketë Shengen rajonal.

“E them ekskluzivisht për ju që këto gjëra janë diskutuar në kuadër të Këshillit për Bashkëpunim Rajonal, por unë them se nëse ndodh Mini-Shengeni, atëherë do të jenë të gjitha vendet, pa përjashtim. Edhe po deshi një vend të përjashtojë një vend tjetër, kjo nuk mund të ndodhë. Të jeni të sigurt”, u shpreh për gazetaren e A2 Marsela Karapanço, ambasadori i Kosovës.

Në një intervistë për A2, ambasadori i Kosovës në Shqipëri, Sylë Ukshini, thotë se pas kësaj nisme të bashkësisë ndërkombëtare qëndron qëllimi për të ulur tensionet mes vendeve dhe për t’i parapërgatitur për në Union.

“Këtu konsiston edhe Bashkimi Europian që t’i përgatisë vendet e rajonit, të bëjë integrimin e tyre të brendshëm në mënyrë që këto vende kur të përgatiten për t’u anëtarësuar në BE të mos kenë problemet e përditshme. Është, si të thuash, një paradhomë e paraanëtarësimit”, tha Ukshini.

Ideja fillestare e Kryeministrit Rama kishte një ftesë edhe për Malin e Zi, por mesa duket është zëvendësuar rrugës me Serbinë…

Shkarkoni aplikacionin e A2