Sondazh: Destinacionet e fundjavave tuaja janë:
  • Bregdeti 50%
  • Zonat malore 50%
  • Qendrat historike 0%

PD padit arkitektin Bjarke Ingels: Me porosi të Ramës dhe Veliajt, mori pjesë me vetëdije në projektin e paligjshëm për Teatrin

Nga A2 CNN
4 Tetor 2019, 10:03 | Politikë
PD padit arkitektin Bjarke Ingels: Me porosi të Ramës dhe Veliajt,

Partia Demokratike dërgon për ndjekje penale arkitektin danez Bjarke Ingels për përfshirje të paligjshme, sipas saj, në projektin korruptiv të grabitjes së tokës publike tek Teatri Kombëtar për ndërtimin atje të kullave private.

Akuzat në padinë që Partia Demokratike ka depozituar në prokurori kundër arkitektit danez janë 3: korrupsioni pasiv në sektorin privat, dhënia e ndihmës për ndërtim të paligjshëm dhe ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike.

“Qartësisht, shtetasi Bjarke Ingels ka qenë në dijeni të faktit se jemi përpara një oferte të parregullt dhe me dashje ka pranuar realizimin e saj”, shkruhet në padinë e depozituar nga Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi.

Mes të tjerave, në padi, theksohet fakti se për t’i hapur rrugë projektit të Bjarke Ingels, të porositur nga Kryeministri dhe Kryetari i Bashkisë që në 2016-n, pa u bazuar në asnjë procedurë ligjore, qeveria ka ndërmarrë disa veprime përpara paraqitjes nga “Fusha shpk” të propozimit të pakërkuar për të ndërtuar një teatër të ri dhe disa kulla përreth, i cili mban datën Shkurt 2018.

  1. Në 12 Prill 2017 qeveria heq Teatrin Kombëtar dhe territorin përreth nga Zona e Qendrës Historike të Tiranës.
  2. Në 14 Prill 2017 miratohet Plani i Përgjithshëm Vendor i Bashkisë Tiranë, në të cilin, ndryshe nga çdo zonë e kryeqytetit ku përcaktohet intensiteti i ndërtimit dhe specifikime të tjera teknike, për zonën e Teatrit Kombëtar, nuk përcaktohet asnjë kufizim për lartësinë e ndërtesave dhe koeficentin e shfrytëzimit të truallit.
  3. Në 13 Mars 2018, në shkelje të çdo ligji vendas dhe ndërkombëtar, pa garë, pa procedurë, pa tender, kryeministri Edi Rama shpall fitues projektin e Bjarke Ingels, i porositur prej tij dhe prej Kryetarit të Bashkisë së Tiranës që në 2016-ën, duke paracaktuar edhe ndërtimin e kullave nga Fusha shpk, që ka marrë përsipër pagesën e projektit të Bjarke Ingels.

Për këtë padi, Partia Demokratike ka njoftuar edhe Ministrinë e Drejtësisë së Danimarkës, duke qenë se studio arikitekturore e Bjarke Ingels, “BIG-BJARKE INGELS GROUP”, ka qendrën ne Kopenhagen të Danimarkës.

A2 CNN Livestream

Ditari nga Bruna Çifligu