Zona e lirë ekonomike në Ballkan, shumë premtime dhe pengesa për konkretizimin

Shkëmbimet e lira tregtare janë një ide e vjetër në Ballkan, që daton qëkurse shtetet nisën aspiratat për t’u anëtarësuar në Bashkimin Europian. Një kufi i përbashkët në veçanti me Kosovën është një ëndërr që nuk ka mundur ende të realizohet, pavarësisht premtimeve të shpeshta të politikanëve.

“Në pikëpamje doganore e bën kufirin Shqipëri-Kosovë, një kufi virtual”, do të deklaronte Kryeministri Rama në prill 2014. Të njëjtin premtim duket se do ta bënte edhe pesë vite më pas. “Në pranverë do të kemi një procedurë krejt tjetër dhe do të kemi një kufi totalisht fluid, njësoj si kufiri mes Francës dhe Gjermanisë. Hymë në një proces që pashmangshmërisht na çon jo vetëm te bashkimi doganor, por edhe bashkimi i tregjeve”.

Kërkuar shpesh edhe gjatë takimeve në kuadrin e procesit të Berlinit, një zonë e lirë rajonale është parë gjithmonë me skepticizëm për t’u realizuar në kushtet kur shtetet shfaqen proteksioniste.

Europa kërkon pjesëmarrjen e të gjashta ekonomive, edhe pse tashmë ky projekt duket se po konkretizohet midis tre shteteve.

Lufta tregtare penalizon shkëmbimet në rajon

Shkëmbimet e Shqipërisë me fqinjët në Ballkanin Perëndimor arritën në 750 milionë euro vitin e kaluar. Edhe pse në dukje një vlerë e lartë, ajo përbën më pak se 10% të volumit të tregtisë së jashtme të vendit. Shqipëria ka një bilanc pozitiv në shkëmbime vetëm me Kosovën dhe Malin e Zi, ndërsa me dy vendet që pret të nënshkruaje një marrëveshje për tregtinë e lirë, vlera e importeve është dukshëm më e lartë se sa mallrat që dërgojmë drejt tyre.

Arsyet që kanë mbajtur në këto nivele të ulëta shit-blerjet në rajon, krahas strukturave të ekonomive përkatëse, kanë të bëjnë edhe me luftën e ashpër tregtare. Skandali i qumështit me aflatoksinë dhe bllokimet reciproke të patateve, janë vetëm disa shembuj të barrierave që shtetet u kanë vendosur njëra-tjetrës gjatë viteve.

Shkarkoni aplikacionin e A2