Historiku i zgjedhjeve, paqëndrueshmëria dhe koalicionet e brishta të Kosovës

Për herë të 5-të në 12 vite, Kosova voton në zgjedhjet e përgjithshme.  Edhe pse parlamenti zgjidhet një herë në 4 vjet, asnjë legjislativ nuk ka arritur të përfundojë një mandatë të plotë. Paqëndrueshmëria e qeverive i faturohet edhe sistemit elektoral në vend, i cili me qëllimin për të ruajtur pluralizmin dhe garantuar diversitetin, parashikon një administratë koalicionesh.

Por kjo shpesh ka çuar në krijimin e një qeverie mes partive që nuk kanë asgjë të përbashkët me programet politike.

“Duke qenë se stabiliteti i qeverisë mbështet në partnerë të koalicionit, sa ma i madh të jetë numri i partnerëve, aq me paqëndrueshme do të jetë qeverisja. Kjo nënkupton se vendimmarrja në sisteme të tilla përfaqësimit është me e komplikuar për shkak të vështirësisë në harmonizimin e pozicioneve mes partnerëve”, shprehet analisti Adem Beha

PDK dhe LDK, dy partitë kryesore në qeverinë e koalicionit, pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, ishin të pashqetësuara në muajt e parë të udhëheqjes, për shkak të opozitës së dobët. Dy muaj para shpalljes së pavarësisë, liderët e dy partive, Hashim Thaçi dhe Fatmir Sejdiu, nënshkruan një marrëveshje koalicioni që parashikonte emërimin e Thaçit kryeministër, ndërsa LDK merrte pozicionin e presidentit. Megjithatë një vendim i Gjykatës Kushtetuese në shtator të 2010-tës, vendosi se Sejdiu nuk mund t’i mbante të dyja detyra atë të presidentit, dhe kreut të LDK. Në një fjalim televiziv, menjëherë më pas, Sejdiu tha se nuk e kishte shkelur Kushtetutën dhe dha dorëheqjen nga posti i presidentit në favor të kryesimit të partisë. Një muaj më vonë humbi edhe rolin e kryetarit të partisë, i cili i shkoi ish këshilltarit të tij, Isa Mustafa.

Mosfunksionimin e koalicionit mes PDK dhe LDK në vitet e para pas pavarësisë, gazetari Agron Halitaj i cituar nga “Balkan Insight”, e justifikon kështu: “Koalicioni mes PDK dhe LDK u krijua për të lehtësuar procesin e shtetndërtimit, por PDK ishte më e interesuar të dëmtonte LDK në mënyrë që të siguronte fitoren në zgjedhjet e ardhshme”.

Qeveria e dytë e Thaçit nga 2010 deri në 2014-tën, po hynte në muajt e fundit të mandatit kur skena politike u përfshi nga ngërçi, lidhur me propozimin për transformimin e FSK në ushtri. Për të mbështetur idenë, partive të pakicës, si atyre që përfaqësonin serbët, ju ofruan vende te tjera të rezervuara në parlament, përveç 20 të tillave që kishin. Opozita kundërshtoi dhe pas disa ditësh diskutime, Thaçi prezantoi mocionin për shpërbërjen e parlamentit.

Pas zgjedhje parlamentare të 2014-s, partive ju deshën më shumë se 6 muaj për krijimin e një koalicioni. Votimi i fragmentarizuar dhe hezitimi i partive të tjera për t’iu bashkuar PDK, e cila kishte të drejtën të zgjidhte kryeministrin, e zvarritën procesin deri në bindjen e Isa Mustafës për të pranuar kushtet. Ai do të bëhej kryeministër, ndërsa PDK-së do t’i kalonte posti i presidentit pas fundit të mandatit të Jahjagës në 2016.

Në vitin 2017-të, koalicioni u prek sërish nga probleme serioze. Lideri i ri Partisë Demokratike, Kadri Veseli, akuzoi Mustafën se nuk kishte qenë në gjendje të merrte vendime të rëndësishme, duke ju referuar ujdisë kontroverse me Malin e Zi, e cila sipas partive të opozitës e privoi Kosovën nga 8 mijë hektarë tokë. Koalicioni u përball gjithashtu me kritika të ashpra si jashtë ashtu edhe brenda parlamentit, me opozitën që hodhi gaz lotsjellës për të penguar votimin. Parlamenti u shpërbë në maj të 2017-s.

Pas zgjedhjeve të 2017-s, lideri i AAK, Ramush Haradinaj u bë papritur kandidati kryesor për pozicionin e kryeministrit pas një ujdie me PDK-në e Veselit. Koalicioni i radhës që do të kishte frerët e pushtetit do të ishte ai mes 3 partive të udhëhequra nga ish lider të Ushtrisë Çlirimtare, AAK të Ramush Haradinaj, PDK-së së Kadri Veselit dhe Nismës së Fatmir Limajt. Por aleancës së pagëzuar me emrin PAN i mungonte shumica prej 61 vendesh në parlamentin me 120 deputetë. Ajo u votua me diferencë të ngushtë 3 muaj pas zgjedhjeve, me ndihmën e AKR dhe përfaqësuesve të minoriteteve etnike. E megjithatë gjatë 22 muajve në detyrë pati mungesë të theksuar mbështetje dhe si rrjedhojë shumë iniciativa dështuan.

Dorëheqja e Haradinaj më 16 korrik, i dha fund ekzekutivit të përçarë nga çështje të rëndësishme si taksa apo dialogu me Serbinë dhe në 22 gusht, parlamenti u shpërnda edhe një herë. Analistët shpresojnë se pas zgjedhjeve të 6 tetorit, krijimi i aleancave dhe qasja mes pozicioneve të partnerëve do të jetë një proces më i lehtë.

Shkarkoni aplikacionin e A2