“Jo” apo “po” me kushte? Për Holandën vendos Parlamenti, Franca ende pa qëndrim

A do të bëjë Holanda një sforco për Shqipërinë? Qeveria e saj miratoi një dokument pa qëndrim përfundimtar, nëse ky vend skeptik do të votojë në Këshillin Europian pro apo kundër hapjes së negociatave të Shqipërisë me BE-në.

Në dokumentin zyrtar të Qeverisë për Parlamentin, i cili në këtë vend ka rol të fortë kur bie fjala për zgjerimin, thuhet se Shqipëria duhet të bëjë më shumë në luftën kundër krimit të organizuar.

Qeveria mirëpret hapat që Shqipëria ka ndërmarrë tashmë në fushën e Vetting-ut radikal, në sundimin e ligjit, rritjes së operacioneve policore kundër krimit. Por Shqipëria duhet të bëjë më shumë në luftën kundër krimit të organizuar.

SPAK duhet të jetë sa më shpejt funksional dhe Shqipëria të tregojë një rekord bindës në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Për të përfunduar, Qeveria mendon se hapja tani e negociatave është e parakohshme”, thuhet në dokumentin zyrtar të Qeverisë për Parlamentin.

Ministri i Jashtëm, Stef Blok, pas mbledhjes së Këshillit të Ministrave, përsëriti se Shqipëria nuk është ende gati për anëtarësimin në BE.

“Shqipëria duhet të ndërmarrë hapa të mëtejshëm, veçanërisht në luftimin e korrupsionit dhe përmirësimin e sundimit të ligjit”, u shpreh ai. Qeveria Holandeze, me këtë vendim fleksibël, i lë hapësirë Parlamentit që në mbledhjen e datës 8 të vendosë, pa sugjeruar vetë ajo hapje apo jo të negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë.

Nëse Parlamenti do të veprojë si Gjermania, Holanda, sipas këtij qëndrimi të qeverisë, shton te kushtet e para, për ngritjen dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese, Gjykatës së Lartë, realizimin e Reformës Zgjedhore me konsensusin e të gjitha partive, edhe luftën kundër krimit dhe korrupsionit, duke i qëndruar shqetësimit për të cilin në qershor Parlamenti holandez vuri veto për Shqipërinë.

Nuk dihet ende qëndrimi zyrtar i Francës së Emanuel Macron, i cili shqetësim nga Shqipëria paraqet numrin ende të lartë të azilkërkuesve. Ndërkohë, një dokument i Brukselit flet për negociata pa kushte për të dy vendet në frymën edhe të rekomandimit pozitiv të Komisionit Europian të pranverës, si dhe të letrës të së premtes të drejtuesve të institucioneve të BE-së. Por diferencimi i Maqedonisë së Veriut me Shqipërinë sa i përket përmbushjes së kushteve ka që në verë që bëhet edhe prej tyre dhe vazhdon të theksohet dhe nga vendet skeptike.

Në këtë frymë, gjatë javëve të fundit burime diplomatike kanë folur për një akord paraprak gjeopolitik në nivele të larta për të mos i ndarë të dy vendet, por nëse për Maqedoninë pritet shpejt nisja zyrtare e negociatave, për Shqipërinë janë deri tani 9 kushte nga Gjermania, ndërsa Holanda thekson si prioritet krimin dhe Franca azilkërkuesit. Gjithsesi, asgjë nuk është përfundimtare dhe se një vendim i qartë, më shumë se në mbledhjen e ministrave të Jashtëm, pritet nga kryetarët e shteteve të vendeve anëtare më 18 tetor.

Shkarkoni aplikacionin e A2