SPECIALE/ Fuqia e peizazhit në tablotë e kolonive artistike

Ishte shekulli i 16 kur piktorët nisën të krijonin kolonitë artistike. Asokohe, kryefjala ishte natyra. Malet, deti, fuqia e peizazhit ishte vetë natyra e rikrijuar në tablo. Që atëherë, kjo traditë nuk është shuar, thuajse edhe në vendet ku piktura nuk zë vend të rëndësishëm në art. Edhe piktorët shqiptarë i bashkohen kolonive.

A2 udhëtoi drejt Ulqinit, qytetit bregdetar që këtë shtator nuk priste vetëm piktorët shqiptarë. Aty gjetëm artistë të Ballkanit të bërë bashkë pa asnjë gjurmë ndarjeje, dallimi apo ndasie sepse arti e ka një fuqi të tillë. Kolonia e organizuar këtë vit në Ulqin nga Instituti i Librit dhe Promocionit nuk është e para e këtij lloji, që përball pesë shkolla të ndryshme të artit në një vend, por është më e mira në punët e ekspozuara, vitet e fundit.

Secili nga artistët, të rinj e të vjetër, do të realizonin në pesë ditë dy tablo që dilnin edhe përtej kornizave të akademive ku ata kanë studiuar. Pikërisht këto përballje artistike janë vlerat më të mëdha të kolonive, sipas artistëve. Ndryshe nga sa vitet e shkuara kolonia e piktorëve të Ballkanit këtë herë ishte edhe më konkurruese. Sepse përtej ekspozimit, mes ngjyrave të tablove gjeje jo vetëm sy që shijonin pikturat, por edhe profesionistë që kërkonin mes këtij rrugëtimi edhe artistët fitues. Juria ishte menduar të kishte nga një përfaqësues për çdo vend ballkanik pjesëmarrës në këtë koloni artistike.

Shkarkoni aplikacionin e A2