A ka nevojë Kosova për figurë femërore në drejtim? Çollaku tregon në A2 se çfarë nevojitet vërtetë

Kreshnik Çollaku, anëtar i Kryesisë së Partisë Demokratike dhe shef i Departamentit për Politikë të Jashtme, deklaroi për A2 se Kosova ka nevojë për për dijen, kulturën dhe patriotizmin.

Sipas tij, këto cilësi i ka Vjosa Osmani e LDK-së. Kur u pyet nëse Kosova ka nevojë për një figurë femërore në drejtim, Çollaku tha: “Me gjithë respektin, nuk jam tifoz i ndarjeve gjinore. Kandidati që ka cilësi nuk ka nevojë të promovohet se është femër apo mashkull. Unë e kam mbështetur sepse bëhet fjalë e para për aleate politike e PD-së, por edhe e njoh personalisht dhe ka qenë personazh kyç për lobimin për pavarësinë e Kosovës. Ka ardhur koha që të ketë rritje të cilësisë së atyre që i drejtojnë. Sot, Kosova ka nevojë për dijen, kulturën dhe patriotizmin”.

Në lidhje me një koalicion të mundshëm LDK-VV, Çollaku theksoi: “Ndjej se ka një qartësi mes këtyre partive që të qeverisin së bashku nga dita e hënë. Nëse LDK-ja do të marrë më shumë vota, kryeministre do të jetë Osmani; nëse Vetëvendosja merr më shumë vota, kryeministër do të jetë Kurti. Osmani-Kurti do të përbënin një dyshe të jashtëzakonshme për sfidat e shumta që mbart Kosova sot. Do të ishte një qeverisje stabël dhe shumë e mbështetur”.

Çollaku theksoi gjithashtu se “vota e sotme do të jetë përcaktuese në çështjet e Ballkanit”.

“Si do të votohet sot do të ketë ndikim në të gjithë zhvillimet e Ballkanit për 2-3 dekada. Zgjedhjet erdhën për shkak të dialogut Serbi-Kosovë, janë referendum për dialogun. Me fitoren e Osmanit apo Kurtit marrin fund projektet për ndarjen e Kosovës”, u shpreh Çollaku.

Më tej, Çollaku bëri një analizë të partive pas zgjedhjeve: “Nëse fiton LDK ose VV, Veseli del në opozitë. Përsa i përket Haradinajt, varet nëse kanë nevojë për votat e tij. E qartë është që dyshja LDK-VV çon në opozitë të qartë PDK-në, që do të paguajë projektin e Hashim Thaçit për ndarjen e Kosovës”.

Sipas Çollakut, “kompromisin më të madh në raport me Serbinë, Kosova e ka bërë tashmë”.

“Kompromisi është që u ul në një tavolinë me Serbinë. Nuk po diskutojnë dy vende normale me njëri-tjetrin. Janë dy vende ku njëri ka tentuar të kryejë genocid ndaj tjetrit. Kosova ka pranuar të ulet pa kërkuar Serbia falje. Ajo që duhet të bëjë Kosova është të jetë korrekte dhe e palodhur në respektimin dhe të drejtave të serbëve që jetojnë në Kosovë. Kosova nuk duhet të bëjë gabimin e madh të diskriminimit të serbëve”, theksoi Çollaku.

Shkarkoni aplikacionin e A2