Bashkurti: Mazhoranca e ardhshme, më ekuilibër në adresimin e çështjeve, jo e fokusuar vetëm në dialogun me Serbinë

Për të komentuar zgjedhjet që po zhvillohen sot në Kosovë, është ftuar në studiot e A2 diplomati dhe eksperti i çështjeve rajonale, Lisen Bashkurti.

Bashkurti cilëson fillimin e procesit zgjedhor si rezultat i një ”procesi  të lirë, me frymë qytetare, që tregon që shoqëria kosovare por edhe subjektet politike janë të vullnetshëm për të respektuar parimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme”.  

Duke vënë në dukje që “krahu i luftës mban përgjegjësinë për arritjet por edhe dështimet e politikës kosovare” deri më tani, diplomati vëren se “ka një tendencë për të mbështetur krahun e LDK-Vetëvendosje”.   

AI vlerëson vendimin e LDK-së “parti e traditës” për të vënë në dukje figurën e Vjosa Osmanit, si një kandidate që  “për vetë kapacitetin që ka demonstruar që nga arsimimi, kontributet në administratë dhe politikë, është zonje me eksperiencë të mjaftueshme për të marrë përsipër sfidën  e  qeverisjes së Kosovës”.

Bashkurti vlerëson edhe Albin Kurtin, si një politikan që “i ka qëndruar konsistent duke mbajtur gjallë frymën patriotike edhe aty ku dukej se ishte tronditur, dhe është bërë më bashkëpunues me faktorin euroatlantik”.

I pyetur mbi sfidat me të cilat duhet të përballet qeveria e ardhshme, Bashkurti thotë se “mazhoranca  e ardhshme  duhet të ketë më ekuilibër në adresimin e çështjeve të brendshme dhe të ardhshme. Është konsumuar shumë energji por pak pritshmëri, shumë premtime nuk janë realizuar”.

Në veçanti Bashkurti gjykon se ndër vite ka pasur “konsumim shumë të madh të Parlamentit dhe qeverisë me dialogun me Serbinë, një taktikë e Serbisë për të lodhur politiken kosovare dhe popullin, duke tentuar të fokusojë institucionet kosovare vetëm me çështjen e dialogut, ndërkohë që Kosova ka sfida të tjera”.

Por sipas tij edhe politika kosovare këtë temë e ka “përdorur, shpërdorur dhe abuzuar” sepse “dialogu me Serbinë është ai me një shtet që ka politikë armiqësore, ndërkohë që investimi më i madh duhet bërë me vendet mike, sepse krijon përfitime direkt për Kosovën, edhe në kredibilitetin ndërkombëtar. Po të vrapoj drejt Serbisë, do të humbasë adresën e saj të brendshme dhe ndërkombëtare”.

Edhe pse gjykon si pozitive “çdo nismë që është në baze të politikave europiane,  si krijimi i tregjeve më të mëdha”. Bashkurti kritikon faktin që Kosova dhe Mali i Zi nuk janë të ftuar në proces, gjë që do të ishte “shqetësuese për politikën e Shqipërisë”, dhe do të preferonte një qasje gjithëpërfshirëse, ku “procesi të realizohet kur ai të maturohet, kur të gjitha vendet të jenë të gatshme”.

Shkarkoni aplikacionin e A2