“Dyshja serioze që duhet të udhëheqë dialogun me Serbinë”, Bytyçi jep parashikimin e tij për koalicionin

Historiani dhe analisti Enver Bytyçi e vlerësoi si “sukses të demokracisë” fushatën zgjedhore në Kosovë si dhe dha parashikimin e tij për një koalicion të mundshëm paszgjedhor.

“Kosova ka krijuar një traditë të mirë të fushatës zgjedhore. Ka qenë një fushatë 10-ditore, me etikë morale dhe politike, pa fyerje, sharje dhe shpifje. I vlerësoj si sukses të demokracisë në Kosovë. Ka seriozitet të institucioneve të Kosovës për të parandaluar çdo deformim të rezultatit zgjedhor, gjë që është e admirueshme. Nuk ndodh në Shqipëri”, tha Bytyçi.

Gjithsesi, sipas tij, në listat zgjedhore të partive nuk kanë munguar elementët që janë përmendur për korrupsion dhe vepra penale.

“Në listat zgjedhore ka pasur elementë që kanë qenë të implikuar në vepra të ndryshme, edhe të karakterit kriminal. Në Kosovë nuk ka ligj dekriminalizimi dhe nuk mund të ndalohen ligjërisht. Është detyrë morale e forcës politike që këta persona të mos hyjnë në Parlament”, deklaroi Bytyçi.

Historiani theksoi se “nëse dialogun me Serbinë do ta udhëheqë një dyshe serioze si Osmani-Kurti, dialogu do të përfundojë me sukses”.

“E parashikoj këtë koalicion paszgjedhor, por do të doja që këtij koalicioni t’i bashkohej edhe partia e Ramush Haradinajt. Mendoj se Osmani dhe Kurti kanë përgatitjen dhe shkollimin më të mirë, janë njerëz që njohin rrethanat ndërkombëtare dhe jam i bindur se nuk do të shkonin në dialog me Serbinë me duar në xhepa siç është shkuar deri më tani”, u shpreh Bytyçi.

Shkarkoni aplikacionin e A2