Haskuka: Blerje votash nga Vetëvendosja? Shpifje, PDK ka eksperiencë manipulimesh

Situata në Prizren ka njohur disa momente tensioni politik, aty ku ka patur akuza të shumta nga dega e Partisë Demokratike të Kosovës në qytet për manipulim dhe blerje votash, edhe pse ende jo të faktuara.

Këtyre akuzave iu përgjigj në mikrofonin e A2 kryetari i komunës Prizren, Mytaher Haskuka, që vjen nga radhët e lëvizjes Vetëvendosje.  

“Deri tani ka tre arrestime, dhe të tre denoncimet kanë ardhur nga vetë Vetëvendosja. Pra kemi të bëjmë me shpifje, arsyetime për humbje nga PDK, ata thjesht po përgatisin terrenin. PDK në këtë pikë ka bërë shumë punë në njollosjen dhe manipulimin e popullit”.

Kryetari i komunës mohoi edhe lajmin që një ish-deputet përfaqësues i komunitetit boshnjak të jetë arrestuar. “Nuk është e vërtetë, po bënte fushatë në fshatin e tij, me lajme të rreme nuk bëhet fushata”.

Haskuka bëri sërish apel qytetarëve të Prizrenit “të dalin të votojnë, duke i siguruar që komisionerët e Vetëvendosjes do t’i paraqesin policisë çdo abuzim”.   

PDK: Të spekulojnë sa të duan, ka dy të arrestuar dhe janë të Vetëvendosjes

Kryetari PDK i Prizrenit, Shaqir Totaj, ndërkohë i përgjigjet Mytaher Haskukës. I intervistuar nga A2, ai thotë se “bazuar në informacionet në terren, jemi në dijeni për tentim manipulimesh të votave, që kemi njoftuar. Kemi dy raste të tillë, që hedhin një hije të zezë procesit”.

Shaqir Totaj, PDK.

Pretendimeve të Vetëvendosjes dhe kryetarit të komunës Haskuka se bëhet fjalë për shpije, Totaj i përgjigjet se “ata mund të spekulojnë sa të duan, e vërteta është që 2 persona janë të arrestuar, ka patur tentim manipulimi dhe janë të Vetëvendosjes. Kemi folur për tentim, pastaj është drejtësia që do të vërtetojë a ka qenë vetëm tentim apo  ka diçka më serioze”.

Për praninë e Kadri Veselit në Prizren orët e fundit,  Totaj thotë se prezenca e kandidatit të PDK-së  “nuk ka të bëj me këto raste, ai lëviz shumë,  merr informacione dhe jep këshilla”.

Shkarkoni aplikacionin e A2