Kurora e gjelbër në Sarandë, mbi 16 milionë lekë të shkuara dëm

Në këtë zonë duhej të ishin mbjellë 22 mijë pisha mesdhetare dhe mbi 4200 selvi, si pjesë e projektit të ripyllëzimit të kurorës së gjelbër të qytetit të Sarandës me një fond prej 16,6 milionë lekë të reja.

Ky projekt nisi në vitin 2014 dhe investimi u mor në dorëzim nga bashkia Sarandë në vitin 2016. Por pamjet në tetor të vitit 2019, tregojnë se investimi nuk ka lënë asnjë gjurmë. Firma që mori përsipër ripyllëzimin e zonës, sipas Bashkisë, e ka kryer punën e saj. Por nga ajo punë, zona nuk ka pësuar asnjë ndryshim vizual. Ndërkohë, shefi i kabinetit të Bashkisë së Sarandës, Thoma Nika, i pyetur nga A2 për këtë problematikë, ka thënë: “Ajo zonë nuk ka ujë dhe pishat janë tharë. Prej periudhës 2016 e në vijim është paguar edhe një roje për të mbikëqyrur dhe ruajtur investimin por pishat nuk janë rritur. Kur u dorëzuan nga firma ishin fidanë”.

Saranda, një nga qytetet më të preferuar për turistët e huaj me mbi 50 mijë banorë, është nja nga qytetet më pak të gjelbëruar në Shqipëri, ndërsa fondi prej 16,6 milionë lekësh për pyllëzimin e kurorës së këtij qyteti, rezultoi thjesht një kosto që taksapaguesit shqiptarë e paguan kot. Për shkak të keqmenaxhimit, apo abuzimit me dashje, këtë duhet ta ndajnë institucionet ligjzbatuese në vend.

Shkarkoni aplikacionin e A2