Nesho: Kosova ka kulturë institucionale, duket që nuk kanë kaluar 30 vitet e tranzicionit tonë

Diplomati dhe ish-ambasadori në OKB, Agim Nesho, deklaroi për A2 se kultura institucionale që ekziston në Kosovë ka bërë që zgjedhjet të jenë gjithmonë të rregullta, në ndryshim nga ato në Shqipëri, ku, sipas tij, “liderët e kanë shijuar kënaqësinë e pushtetit duke e kaluar nga njëra anë në anën tjetër”.

“Zgjedhjet kanë qenë të rregullta gjithmonë në Kosovë, ka kulturë institucionale, por edhe e mbikqyrur nga faktori ndërkombëtar. Janë më të rinj, duket që nuk kanë kaluar 30 vitet e tranzicionit tonë. Tani sapo kanë filluar të ndjejnë kënaqësinë e pushtetit, që liderët e kanë shijuar duke e kaluar nga njëra anë në anën tjetër. Në Kosovë nuk ka ndodhur kjo”, tha Nesho.

Sipas diplomatit, këto zgjedhje vijnë në një moment kyç për Kosovën: “Ka ndryshuar pozicioni i Serbisë, ka ikur nga rruga e nacionalizmit të verbër dhe po drejtohet drejt integrimit në BE. Simpatia e udhëheqësve serbë ndaj Evropës është e qartë, por vizitat kryesore të tyre janë në Moskë. Serbia po luan me dy porta dhe për mendimin tim Serbia po bën presion ndaj BE-së që unë kam alternativa të reja. Këtë problem Serbia po përpiqet ta transferojë në marrëdhënien me Kosovën, që është çështje e mbyllur tashmë. Ky është momenti ku klasa politike e Kosovës duhet të rezistojë sepse ka perspektivën e saj përpara: të jetë pjesë e NATO-s dhe BE-së. Problemet e Serbisë nuk mund të krijojnë një problem të ri, që në situatën aktuale gjeopolitike duket se ka fituar terren për t’u rinegociuar. Kushdo që të fitojë, duhet të ketë parasysh se nuk janë vetëm zgjedhje për mirëqenien e qytetarëve, por zgjedhje për ekzistencën dhe mbijetesën politike që është krijuar artificialisht”.

Kur u pyet nëse Kosova është gati për një kryeministre femër, Nesho u përgjigj: “Mendoj që në Ballkan priren ndaj figurave të forta. Edhe prapambetja që ka ky rajon, ka të bëjë se gjithmonë kemi qenë në shërbim të ideve të liderëve. Mendoj që popujt e Ballkanit votojnë për partinë më shumë sesa për individin. Edhe nëse lideri bën gabime, elektorati i qëndron besnik partisë. Unë mendoj se është një shans për kandidaten, pasi edhe shtypi i huaj e ka përkrahur”.

Shkarkoni aplikacionin e A2