Përplasjet për taksën sollën zgjedhjet e parakohshme

E nisën me optimizëm, por nuk mundën ta përfundonin mandatin. Koalicioni politik i përbërë nga Partia Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma fitoi zgjedhjet e qershorit të 2017-s.

Mes shumë përpjekjesh, rreth 4 muaj pas zgjedhjeve, ndërtuan qeverinë e re duke bashkëpunuar me Aleancën për Kosovën e Re dhe Listën Serbe, një koalicion mjaft i brishtë, që shpejt do të rezultonte i paqëndrueshëm. Lëkundja e parë do t’i vinte nga një masë e destinuar kundër Serbisë, por që u kthye në bumerang për kryeministrin Ramush Haradinaj.

Fillimisht ishte Lista Serbe që deklaroi largimin zyrtar nga mazhoranca duke ngritur dhe shqetësime të herëpashershme për taksën 100% ndaj mallrave serbe. Këto ankesa nuk ranë në vesh të shurdhër, Bashkimi Europian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me kritikat e tyre të vazhdueshme, krijuan përplasje brenda bazës së koalicionit qeverisës. Fillimisht, kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli e mbështeti tarifën ndaj mallrave serbe, por më pas ndryshoi qëndrim për shkak të presionit të delegacionit amerikan.

Natyrisht, në krijimin e këtyre krisjeve brenda koalicionit qeverisës pati peshë të madhe edhe Presidenti Hashim Thaçi.

E ndërsa të gjitha thirrjet e diplomatëve amerikanë, atyre të BE-së dhe liderëve të brendshëm të Kosovës për të pezulluar taksën dështuan, kryeministri Ramush Haradinaj e bëri atë të paprekshme: “Mund të shkojmë në zgjedhje, por taksa mbetet”.

Ditë pas dite kishte përplasje mes dy partnerëve të koalicionit qeverisës, kreut të AAK-së, Haradinaj dhe kreut të PDK-së, Veseli, derisa dolën raportime se mes tyre tashmë mungon edhe komunikimi. Kjo do të konfirmohej dhe nga kjo deklaratë e kryeparlamentarit për Zërin e Amerikës: “Haradinaj sillet njësoj si me Serbinë, ashtu edhe me SHBA dhe BE”.

Pikërisht kjo deklaratë e fortë do të ishte dhe goditja finale për një qeveri të brishtë, pjesët e së cilës kishin nisur prej kohësh të shpërbëheshin. Dorëheqja e Haradinajt do të vinte shumë shpejt, por jo për këtë problem të brendshëm, por për një thirrje të Gjykatës Speciale të Hagës. Duke e përdorur këtë, për të mbuluar krisjet e një maxhorance joekzistente, shefi i qeverisë u shpreh i gatshëm për zgjedhje të parakohshme.

Kështu, qeverisja e këtij koalicioni që dukej i dështuar që në nisje përfundoi me vetëm dy vite në drejtim të Kosovës. E ndërsa populli është thirrur sërish në zgjedhje, e vetmja punë e rëndësishme e kësaj qeverie vijon të mbetet pikërisht taksa ndaj Serbisë, që solli dhe këto zgjedhje të parakohshme.     

Shkarkoni aplikacionin e A2