Zgjedhjet në Kosovë, mesazhet e para nga politika shqiptare

Ndiqni A2 live, për zhvillimet e fundit nga Kosova

Ora 10:38 – “Në futboll, muzikë dhe zgjedhje Kosova është para Shqipërisë”

Ambasadori i Kosovës në Shqipëri, Sylë Ukshini e ka konsideruar një ditë feste atë të djeshme kur u mbajtën dhe zgjedhjet e parakohshme parlamentare.

I ftuar përmes një lidhje direkte nga Kosova në Dita Jonë, ambasadori Ukshini vlerësoi procesin zgjedhor dhe fushatën që e parapriu atë duke i cilësuar si me etikë politikë që duhet të jetë shembull dhe për shumë vende të rajoni. Sipas tij, këto zgjedhje i dërguan dhe një mesazh Brukselit se Kosova është privuar padrejtësisht nga lëvizja e lirë dhe se është pjesë e Evropës

Ora 10:30 – Votat me kusht dhe të diasporës shtyjnë shpalljen e rezultatit përfundimtar në Kosovë

Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në Kosovë, Valmir Elezi, në një lidhje direkte në Ditarin e orës 09:00 në A2 tha se rezultatet aktuale janë paraprake, ndërsa do të duhet disa ditë për të përcaktuar rezultatin përfundimtar. Ai sqaroj se kur do të nisë numërimi i votave me kusht dhe atyre të diasporës.

Ora 10:16 – Tritan Shehu: Zgjedhjet në Kosovë goditën teorinë e rrezikshme serbe

Ora 09:49 – Pas Metës e Ramës, ka reaguar edhe lideri i opozitës, Lulzim Basha për zgjedhjet e mbajtura një ditë më parë në Kosovës. Në një postim në “Facebook”, Basha uron Albin Kurtin dhe Vjosa Osmanin për fitoren.

Më tej, ai shkruan se populli i Kosovës është një shembull frymëzues me pjesëmarrjen civile dhe masive në zgjedhje.

Ora 08:44 – Kryeministri Edi Rama e ka nisur ditën e hënë me një urim për fituesit e zgjedhjeve në Kosovë dhe mënyrën e organizimit të këtij procesi, i cili u zhvillua në tërësinë e tij pa incidente.

Kreu i qeverisë, përmes një postimi në rrjetet sociale, uroi Albin Kurtin dhe Vjosa Osmanin për rezultatin që arritën në zgjedhje dhe Kadri Veselin për pranimin e humbjes dhe daljen në opozitë.

Ora 08:37 – Presidenti i Republikës, Ilir Meta ka përshëndetur procesin zgjedhor që u zhvillua një ditë më parë në Kosovë.

Kreu i Shtetit deklaroi se qytetarët e Kosovës dhe klasa e saj politike i treguan botës së shteti i tyre është funksional dhe një shembull demokracie.

Ora 08:31-Pasi janë numëruar rreth 95.88 të votave, Lëvizja Vetëvendosje vijon të jetë në avantazh të lehtë me 25,79% të votave, menjëherë pas saj renditet Lidhja Demokratike e Kosovës me 25.05% të preferencave. Partia Demokratike e Kosovës ka marrë 21,15% ndërsa koalicioni AAK-PSD, 11,63%.

Albin Kurti, në orët e vona, të mbrëmjes së djeshme shpalli fitoren në zgjedhjet e parakohshme dhe veten si kryeministrin e ri të vendit. Ai deklaroi se tani fillon një epokë e re për Kosovën. Kurti siguroi simpatizantët e tij që ishin për të mbledhur në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë se nuk do të bashkëpunojnë me PDK për të krijuar qeverinë dhe se dora e tij do të mbetet e shtrirë për LDK.

Të njëjtën gjë konfirmoi dhe kandidatja për kryeministre nga radhët e LDK, Vjosa Osmani e cila la të hapur mundësinë e një bashkëpunimi me Vetëvendosjen. Megjithatë Osmani u tregua e kujdesshme duke thënë se do të presë deri në numërimin e votës së fundit të qytetarëve për të parë nëse partia që ajo përfaqëson ka dalë forcë e parë në këto zgjedhje apo jo. Deklaratë e Osmanit vjen për faktin dhe për shkak të numrit të lartë të votave të kontestuara dhe atyre të diasporës që janë të pa numëruar.

Edhe kryetari i PDK, Kadri Veseli doli në një deklaratë disa orë pas mbylljes së qendrave të votimit dhe pranoi humbjen në këto zgjedhje. Në këto zgjedhje në Kosovë pjesëmarrja në votime ishte 43,22% dhe kryesish procesi vetëm me disa incidente minimale.

Ora 00.54 –Kur tashmë numërimi ka kaluar 93% të votave, rezultatet vijojnë të tregojnë një përparësi të Vetëvendosjes, që kryeson me VV 25.78% me rreth 192 mijë vota, e pasuar nga LDK me 24.91%, PDK me 21.25%, AAK- PSD 11.54%, ndërkohë që Lista Serbe ka marrë 6.37% të votuesve. Diferenca mes dy partive kryesore është tashmë rreth 6500 vota.

Ora 00.15 – Kryetari i Vetëvendosjes, që sipas rezultateve paraprake kryeson garën elektorale në Kosovë, ka dhënë një deklaratë për mediat, ku ka partinë e tij fituese të zgjedhjeve, madje duk efolur si kryeministër i ardhshëm. ”Unë si kryetar i këtij subjekti politik dhe si Kryeministër i ri, i Republikës së Kosovës në legjislaturën e shtatë, shpallë fitoren e Lëvizjes Vetëvendosje”.

Kurti shtoi se tani është momenti për të festuar në sheshin Skenderbej, “e nëser do të fillojmë përgatitjet e qeverisë së re për Republikën e Kosovës që do ta vendos Kosovën në binarët e zhvillimit dhe për t’i dhënë fund kapjes së shtetit”.

Ora 23.59 – Kandidatja për kryeministër e LDK, Vjosa Osmani, ka deklaruar se deri sa të numërohet vota e fundit, nuk do të ketë një fitues në Kosovë.  

Sipas saj, “Sonte nuk mund të shpallet fituesi, duhet të pritet deri në numrin e fundit të votës. Besoj që deri nesër pas numërimit të votave me kusht dhe të diasporës, mund të dalim me rezultatet. Dallimi është 0.7 përqind. Natyrisht që në fund do ta respektojmë vullnetin e sovranit”.

Për sa i përket koalicioneve të mundshme, Osmani deklaroi se “pasi të numërohet edhe vota e fundit, atëherë mund të flasim për koalicionin, dh ese e rëndësishme ishte mposhtja  e partive në pushtet.

Ora 23.56 – Ish-kryeminsitri Ramush Haradinaj ka komentuar në rrjetet sociale rezultatet e zgjedhjeve të sotme në Kosovë.

Sipas liderit të AAK-së, “vendimi për t’ia kthyer sovranit vendimmarrjen, pikërisht në kohë udhëkryqi për Kosovën, sot u vërtetua që ishte veprim i drejtë”.

Haradinaj cilësoi garën si “e drejtë dhe e qetë, e ngriti Kosovën dhe qytetarët e saj në një standard të ri të pjekurisë politike dhe demokratike, duke shërbyer si model shembull në rajon. Për këtë meritore janë të gjitha partitë politike, pa dallim” duke shtuar se “Kosova sot nuk dallon nga vendet me demokraci të avancuar, duke dëshmuar se jemi po aq evropian sa secili vend tjetër në Evropë“.

Ora 23.55 – Kur tashmë numërimi i votave shkon drejt përfundimit, ndryshimet në përqindje zvogëlohen gjithmonë më shumë. Me më shumë se 84% të votave të numëruara, rezultatet paraprake tregojnë një përparësi të Vetëvendosjes, që kryeson me VV 25.95% me rreth 175 mijë vota, e pasuar nga LDK me 24.90%, PDK me 21.09%, AAK- PSD 11.59%, ndërkohë që Lista Serbe ka marrë 6.28% të votuesve.

Ora 10.50 – Kadri Veseli ka pranuar humbjen e partisë së tij. Kreu i PDk-së tha se partia e tij do të mbetet në opozitë.  “Së bashku me PDK kemi punuar shumë që t’i fitojmë këto zgjedhje por nuk fituan. Qytetarët kanë dhënë verdiktin e tyre dhe ne e pranojmë. PDK do të kalojë në opozitë, por ne do të vazhdojmë ti shërbejmë kombit dhe shtetit. Fushata për mua ka qenë shumë e veçantë, u jam falënderues e mirënjohës mijëra njerëzve që km takuar këto jave”, deklaroi Veseli.

Ndërkohë, me më shumë se 77% të votave të numëruara, rezultatet paraprake tregojnë një përparësi të Vetëvendosjes, që kryeson me VV 26.10%,  e pasuar nga  LDK me 25.21%, PDK me 21.17%, AAK- PSD 11.63%, Lista Serbe ka marrë 5.84% të votuesve, kryesisht në veriun e Mitrovicës.

Ora 09.55 – Numërimi vazhdon me ritme të shpejta. Me më shumë se 59% të votave të numëruara, këto janë rezultatet paraprake: LDK 25.42%, VV 25.47%, PDK 21.72%, AAK- PSD 12.22%, Lista Serbe 5.09%.

Ora 09.20 – Me më shumë se 41% të votave të numëruara, këto janë rezultatet paraprake: LDK 25.21%, PDK 22.62%, VV 24.32%, AAK- PSD 12.67%, Lista Serbe 5.10%.

Ora 20:50 – Me më shumë se 21% të votave të numëruara, këto janë rezultatet paraprake: LDK 25.29%, PDK 22.10%, VV 21.78%, AAK- PSD 14.14%, Lista Serbe 7.2%.

Ora 20:44 – Pavarësisht rezultateve paraprake, nënkryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjuifca, ka deklaruar se partia e drejtuar nga Albin Kurti rezulton forcë e parë, të paktën nga të dhënat që ata kanë në dispozicion. Ai uroi Lidhjen Demokratike të Kosovës për vendin e dytë, ndërsa shtoi se së bashku me këtë parti do të qeverisin vendin.

Ora 20:40 – Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, në një konferencë për media tha se partia e tij është fituese e këtyre zgjedhjeve. Ai deklaroi se Lidhja Demokratike rikthehet si parti e parë pas 12 vitesh. “LDK-ja është fituese dhe rikthimi i madh i LDK-së ka ndodhur. Kjo është një fakt që LDK pas 12 vitesh rikthehet si parti e parë në Republikë”, u shpreh ai.

Haziri shtoi se LDK ka një përparësi ndaj Lëvizjes Vetëvendosje, por shtoi me kalimin e orëve do të ketë një qartësim më të madh. “Natyrisht ne jemi të lumtur që si bllok opozitar kemi mundur të shënojmë rezultat shumë të thellë. Rezultatet tregojnë që LDK ka një përparësi një udhëheqje ndaj Vetëvendosjes si parti e dytë”, shtoi ai.

Ora 20:30 –  Ka filluar numërimi i votave reale të zgjedhjeve në Kosovë. Me më shumë se 10% të votave të numëruara, këto janë rezultatet paraprake: LDK 23.85%, PDK 21.61%, VV 19.62%, AAK- PSD 13.79%, Lista Serbe 10.39%.

Ora 19:30 – 737 122 qytetarë kanë votuar në zgjedhjet e jashtëzakonshme që janë mbajtura këtë të diel në Kosovë. Sipas KQZ, 44,09% e qytetarëve kanë dalë në votime. Obiliqi ka përqindjen më të madhe të votuesve, 60,1%, ndërsa në Dragash kanë dalë për të votuar vetëm 32,7% e popullsisë, duke u renditur në komunën me pjesëmarrjen më të ulët. (Lista e plotë)

​Sipas exit-poll-it të realizuar nga Radio Televizioni i Kosovës dhe Instituti i Prishtinës për Studime të Opinionit Publik, PIPOS, më shumë vota ka marrë Lëvizja Vetëvendosje me 28,1%, e ndjekur nga LDK me 27,9% dhe PDK me 25,8%.

Ndërsa sipas exit-poll-it të Klan Kosovës, LDK dhe Vetëvendosje kryesojnë bashkërisht me 30% të votave, PDK ka arritur të marrë 22,8%, AAK-PSD 10,58% të votave ndërsa Nisma dhe AKR vetëm 4,41%.

Ora 19:20 – Janë mbyllur kutitë e votimit në Kosovë, në zgjedhjet e parakohshme që do të vendosin mbi përbërjen e Qeverisë së Kosovës.

Menjëherë pas përfundimit të orarit zyrtar, Kryeministri në detyrë Ramush Haradinaj ka dhënë një deklaratë të shkurtër për mediat, duke thënë se këto zgjedhje kanë shkuar në mënyrën më të mirë të mundshme.

“Kosova ka tregu pjekuri politike. Në këto zgjedhje është votuar vetëm me dokumente të Republikës së Kosovës. U vërtetua se mandati është më i sigurt kur i kthehet popullit, sidomos në momenteve të presioneve politike mbi vendin, shpresoj që ky standard të respektohet gjithnjë”, tha Haradinaj.

Ora 18:30 – 20 persona janë ndaluar gjatë gjithë ditës nga Policia

Koordinatorja Kombëtare e Zgjedhjeve, Laura Pula, njoftoi se gjatë procesit zgjedhor në Kosovë janë raportuar disa raste të ndryshme por, pas verifikimit të të gjitha këtyre informatave nga prokurorët në teren, janë vërtetuar 16 raste me 20 persona të cilët lidhen me procesin zgjedhor.

“Në rajonin e Prizrenit janë pesë raste me pesë persona, ku të gjithë janë të ndaluar për veprën penale “Cenim i fshehtësisë së votimit” nga neni 215.

Në rajonin e Pejës kemi një rast me dy persona të ndaluar për veprën penale “Keqpërdorim i të drejtës së votimit” nga neni 213.

Në rajonin e Gjakovës i kemi gjashtë raste kundër gjashtë personave, pesë persona janë të ndaluar dhe një person në kërkim, për veprat penale “Pengimi i procesit të votimit” nga neni 214, “Cenim i fshehtësisë së votimit” nga neni 215, dhe për veprën “Asgjësimi i dokumenteve të votimit” nga neni 217.

Në rajonin e Gjilanit kemi një rast me një person të ndaluar për veprën penale “Parandalim i ushtrimit të së drejtës për të votuar” nga neni 209.

Në rajonin e Mitrovicës i kemi dy raste me pesë persona të ndaluar, prej të cilëve dy për veprën penale “Keqpërdorim i detyrës zyrtare gjatë zgjedhjeve” nga neni 211, si dhe tre për veprën penale “Pengimi i procesit të votimit” nga neni 214.

Në rajonin e Ferizajt është një rast me një person të ndaluar për veprën penale “Pengimi i procesit të votimit” nga neni 214”

Ora 18:00 – Nisma: Militantët e PDK-së përpiqen të tjetërsojnë vullnetin e qytetarëve

Nisma Socialdemokrate ka njoftuar se në Drenas ka pasur shumë parregullsi në procesin e votimit. Sipas partisë së drejtuar nga Fatmir Limaj, militantët e PDK-së të ndodhur para humbjes, janë duke ushtruar presion te votuesit.

“Nisma Socialdemokrate dega në Drenas është duke e përcjellë dhe monitoruar hap pas hapi procesin zgjedhor nëpërmjet komisionerëve dhe vëzhguesve tanë. Militantet e PDK-së të ndodhur para humbjes së sigurt në disa qendra të votimit po mundohet të ushtroj presion votuesve duke qëndruar para shkollës personat të caktuar tentojnë të manipulojnë me vullnetin e qytetareve. Presion mbi votuesit kanë raportuar komisionerët dhe vëzhguesit tanë në Qendrat e Votimit në Komoran dhe në Sankovc. Po ashtu edhe mediat kanë raportuar në lidhje me lënien e letrave me numrat e subjektit të PDK-së në kabinat e votimit në Shkollën fillore “Rasim Kiqina” në Drenas. I bëjmë thirrje KQZ-së dhe të gjitha institucioneve relevante të marrin masa konform ligjeve dhe udhëzimeve në fuqi me të vetmin qellim që të kemi zgjedhje të lira dhe demokratike. Duke qenë se kanë mbet edhe pak orë deri në mbyllje të qendrave të votimit iu bëjmë thirrje të gjithë qytetareve pa dallim të dalin dhe të votojnë, duke kryer ketë obligimin qytetar ne kontribuojmë të gjithë së bashku në ndërtimin e shtetit ligjor dhe demokratik. NISMA Socialdemokrate kërkon që të mbrohet vota si vullnet i lirë i qytetareve të Republikës së Kosovës”, thuhet në deklaratën e Nismës.

Ora 15:35 – Më shumë se gjysmë milionë persona kanë votuar në zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Kosovë, deri në orën 15:00. Kryetarja e KQZ, Valdete Daka tha në konferencë për shtyp se nga të dhënat e marra nga 2491 qendra votimi, ose 98% e të gjitha qendrave, kanë votuar 554 750 persona, që përbëjnë 29,28% të listës së votuesve. Kjo shifër, sipas Dakës, ishte më e lartë se në zgjedhjet e vitit 2017, ku në këtë orë kishin votuar 497 120 persona.

Daka tha gjithashtu se ishin shënuar disa incidente, duke pranuar se ka pasur denoncime për shit-blerje votash, por sipas saj, nuk kanë cenuar procesin zgjedhor dhe i takon Prokurorisë të merret me to. Konferenca e ardhshme e KQZ për shifrat e para zyrtare do të jetë në orën 19:30.

Në një intervistë për A2, Daka tha ka pasur ndalim të disa komisionerëve në Mitrovicën e Veriut, por ata janë zëvendësuar. Gjithashtu ajo pranoi se ka pasur përpjekje të serbëve të Kosovës për të votuar me letërnjoftime serbe, por janë ndaluar.

Ora 14:05 – Partia Demokratike e Kosovës ka denoncuar dy raste ku Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje kanë ndërhyrë në procesin zgjedhor. Në një komunikatë për media, PDK tha se aktivistë të Vetëvendosjes janë kaluar duke blerë vota në një qendër votimi në Prishtinë. Sipas PDK njëri prej tyre edhe është arrestuar, por nuk ka asnjë konfirmim zyrtar për këtë nga ana e Policisë së Kosovës. PDK denoncoi gjithashtu se përfaqësues të Lidhjes Demokratike të Kosovës, kanë ushtruar presion dhe ndikim te qytetarët në Sllatinë të Fushë Kosovës për mënyrën se si ata të votojnë

Ora 14:00 – Prokuroria e Kosovës ka raportuar për ecurinë e zgjedhjeve deri në orën 14:00, duke thënë situata veçanërisht në Mitrovicë është e qetë dhe deri në ato çaste është ndaluar vetëm një person. Gjatë paradites, gazetarja e A2, Alba Alishani, e vendosur në Mitrovicë, raportoi se tre persona ishin arrestuar për shkak se kërkonin të votonin me dokumente të Republikës së Serbisë, diçka e paligjshme.

Ora 11:35 – Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka, tha në një konferencë për shtyp se mbi 174 mijë persona kanë votuar deri në orën 11:00 në zgjedhjet e përgjithshme të parakohshme, ose 9,64%. Për krahasim, zonja Daka tha se në zgjedhjet e vitit 2014, deri në të njëjtën orë, pjesëmarrja kishte qenë mbi 150 mijë persona. Përveç disa incidenteve të izoluara, deri më tani çdo gjë është zhvilluar në rregull.

Ora 10:45 – Osmani: Kemi informacione për disa parregullsi, të mos ketë presion ndaj qytetarëve

Kandidatja e Lëvizjes Demokratike të Kosovës, Vjosa Osmani, tha se ka pasur informacion për disa parregullsi dhe bëri thirrje që qytetarët të mos kenë presion, në mënyrë që të votojnë të lirë.

“Thirrja ime është për të gjithë qytetarët e Kosovës që të bëhen pjesë e këtij vendimi historik. Besoj shumë që nëpërmjet një procesi të lirë dhe demokratik, Kosova të ketë arsye për të festuar. Shpresoj që qytetarët e Kosovës ta shfrytëzojnë këtë të drejtë  për të ardhmen e tyre dhe fëmijëve të tyre”, tha ajo. (Lexo të plotë)

Ora 10:18 – Voton Thaçi: Dita e sotme, për të ardhmen euroatlantike të Kosovës

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, tha pasi hodhi edhe ai votën e tij në zgjedhjet e përgjithshme të parakohshme se kjo është një ditë e rëndësishme për të gjithë qytetarët, të cilët i ftoi të dilnin masivisht në votime. “Do të jetë një votim për të ardhmen euroatlantike të sigurt të Kosovës, për një jetë më të mirë për zhvillim ekonomik, për mirëqenie, për vende pune”, u shpreh Presidenti.

Ora 10:09 – Haradinaj: Nëse nuk votoni, të tjerët vendosin për ju

Ramush Haradinaj i bëri thirrje qytetarëve të Kosovës të dalin në votime pa marrë parasysh bindjeve politike dhe përkatësisë etnike. “Vetëm me votë vendosim vetë për veten tonë, për ata që nuk votojnë  vendosin të tjerët, ata që votojnë”, tha Haradinaj pasi hodhi votën i shoqëruar nga bashkëshortja Anita. (Lexo të plotë)

Ora 09:56 – Albin Kurti: Shans historik

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, i bëri thirrje qytetarëve të Kosovës të dalin të votojnë, për të ushtruar të drejtën e tyre në këtë ditë të “historike” për Kosovën, siç e quajti ai.

“Të gjithë kemi të drejtën e votës dhe ta shfrytëzojmë këtë shans unik për nga karakteri e historik për nga pesha. Le të votojmë dhe të festojmë”, tha ai pasi votoi në Prishtinë. (Lexo të plotë)

Ora 09:45 – Voton ministri i Jashtëm i Shqipërisë

Ministri në Detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme Gent Cakaj ka qenë sot në Kosovë, për të votuar në zgjedhjet e përgjithshme të parakohshme. Sipas njoftimit të vetë Ministrisë së Jashtme të Shqipërisë, Cakaj ka votuar në Prishtinë, në ambientet e shkollës “Shtjefën Gjeçovi”.

“Unë nuk jam thjesht një shtetas i Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kosovës, por jam edhe një qytetar aktiv i cili beson që fati këtyre dy vendeve është i pandashëm. Qoftë zgjedhjet e qershorit në Shqipëri, qoftë zgjedhjet e tetorit tani pavarësisht dallimeve të dy vendeve kanë diçka të përbashkët, janë shprehje e vullnetit të përgjithshëm politik”, tha Cakaj për mediat. (Lexo të plotë)

Ora 9:44 – LDK, thirrje qytetarëve për të votuar

Lidhja Demokratike e Kosovës i bëri thirrje të gjithë qytetarëve që të dalin masivisht të votojnë. Zëdhënësi Besjan Mustafa, në një prononcim për A2, tha se të gjitha vendvotimet janë hapur në kohë. “Presim dalje masive të qytetarëve në votime dhe shfrytëzojmë rastin për të ftuar të gjithë qytetarët që të shfrytëzojnë të drejtën themelore për të votuar”, deklaroi Mustafa.

Ora 09:29 – Voton kryetarja e KQZ: Të tregojmë kulturë demokratike

Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në Kosovë, Valdete Daka shfrytëzoi të drejtën për të votuar që herët në mëngjes. Ajo kërkoi nga qytetarët dhe subjektet politike që të tregojnë kujdes dhe kulturë të lartë demokratike.

“Pasi e përfundova obligimin tim qytetar i ftoj të gjithë qytetarët, i ftoj të gjitha subjektet politike dhe komisionerët që ditën e sotme të kenë kujdes, pasi procesi që nga ky moment është në duart e tyre, ta kemi parasysh që çdo gjë që ndodh gjatë ditës së sotme në fund të ditës i faturohet Kosovës e jo atyre. Pra, t’u tregojmë të gjithëve se kemi kulturë të lartë demokratike, se dimë të votojmë dhe se e duam shtetin tonë”, tha Daka.

Ora 09:23 – Kadri Veseli: Uroj që qytetarët t’i japin perspektivë të ardhmes së tyre

Kryetari i PDK-së, Kadri Veseli, pasi votoi dha një deklaratë të shkurtër për mediat. Veseli uroi që qytetarët e Kosovës t’i japin sot një perspektivë vetes dhe të ardhmes së tyre. “Sot është një ditë e jashtëzakonshme për Kosovën. Uroj që qytetarët t’i japin perspektivë Kosovës perëndimore, vetes dhe të ardhmes së tyre”, deklaroi Veseli.

Ora 08:40 – Thirrja e ambasadorit amerikan në Kosovë: Votoni për të ardhmen tuaj

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Philip S. Kosnett, u bëri thirrje qytetarëve që ditën e sotme të votojnë për veten e tyre dhe të ardhmen e tyre. Kosnnet shkruan në rrjetet sociale se dita e sotme është një ditë e rëndësishme. “Mirëmëngjes #Kosovë! Dita e sotme është për të dalë dhe votuar. Vota juaj ka rëndësi – votoni vetë, vendin tuaj, të ardhmen tuaj”, shprehet Kosnett.

Ora 08:27 – Zëdhënësi i KQZ: Vonesa në hapjen e disa vendvotimeve

Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në Kosovë, Valmir Elezi deklaroi se se të gjitha vendvotimet janë hapur para orës 07:00, orë e cila shënon edhe fillimin e procesit zgjedhor. “Vetëm në disa vendvotime ka pasur vonesa për arsye teknike”, u shpreh Elezi. Por, tani çdo gjë është kthyer në normalitet”, shtoi Elezi.

Zgjedhjet në Kosovë mbahen pas dorëheqjes së kryeministrit Ramush Haradinaj për shkak të ftesës nga Gjykata Speciale.

Ora 08:17 – 1 milion e 870 mijë qytetarë të Kosovës votojnë sot për qeverinë e re. Partitë politike, të ndara në 4 koalicione, kanë 5 kandidatë për kryeministra, Ramush Haradinajn, Vjosa Osmanin, Albin Kurtin, Kadri Veselin dhe Fatmir Limajn. Partitë mbajtën edhe takimet përmbyllëse duke bërë një përmbledhje të premtimeve dhe zotimeve.

Sfidat për fituesin pas votës të së dielës janë të shumta, që nga dialogu me Serbinë, çështja e liberalizimit të vizave në BE, lufta kundër krimit dhe korrupsionit, zhvillimi ekonomik dhe ulja e papunësisë, e cila mes të rinjve shkon në 60%.

Mbarëvajtjen e procesit zgjedhor do ta vëzhgojnë 29 mijë vëzhgues nga ambasadat, organizma ndërkombëtare dhe OJQ vendore. Për mbrojtjen e votës janë angazhuar 100 prokurorë dhe manipulimi apo shitblerja e votës përbën vepër penale.

Zgjedhjet në Kosovë mbahen pas dorëheqjes së kryeministrit Ramush Haradinaj për shkak të ftesës nga Gjykata Speciale.

Shkarkoni aplikacionin e A2