Andoni: Kurti nuk mund të veprojë siç ka vepruar më parë

Analisti Ben Andoni, i ftuar në studion e Ditari në A2 deklaroi se “Albin Kurti nuk mund të veprojë më siç ka vepruar më parë”, pasi, sipas tij, kreu i Vetëvendosjes “do të luajë të gjitha gurët për të mbajtur postin e kryeministrit”.

“Albin Kurti nuk mund të veprojë siç ka vepruar më parë. Ambicia kryesore e Albinit ka mbaruar tashmë. Besoj se do të luajë të gjitha gurët për të mbajtur postin sepse lidhja me LDK nuk do të jetë kaq e lehtë. Kjo parti po pret rezultatin përfundimtar. Sa më e vogël të jetë diferenca, aq më shumë do të kërkojë në qeverisjen e ardhshme. Kurti nuk ka qenë ndonjëherë në pushtet dhe për këtë është gati të bëjë flirte të shumëllojshme. Nuk është e vërtetë ajo që thonë njerëzit se Kurti nuk ka dashur bashkëpunim me serbët. Ka dashur, por me kushte specifike. Unë besoj që Kurti do të lëshojë akoma më shumë për arsyen e vetme se ka qëllim që të jetë protagonist. Nuk besoj se është ndryshe nga lideri tipik shqiptar. Mjafton që të jetë i pari dhe unë besoj që do të bëjë lëshime”, tha Andoni.

Por, Andoni beson se nëse Albin Kurti “do të arrijë të kanalizojë përpjekjet kryesore të Kosovës për liberalizimin e vizave dhe të drejtojë problemin e dialogut me Serbinë në një udhë të mbarë, mund të quhet i suksesshëm”.

“Por, hapi i parë është që të hedhë poshtë Albinin e dikurshëm. Që dje e mori këtë kthesë për hir të qënies kryeministër”, nënvizoi Andoni.

Në fund, Andoni kritikoi Kurtin për deklaratat e tij mbi dialogun me Serbinë: “Po bën gabim me atë që po thotë për dialogun. Nuk i kthehesh dot nga fillimi një dialogu që ka prodhuar deri tani 33 marrëveshje. Nuk ka rëndësi si janë implementuar apo janë në letër ende, për ato është punuar 6 vite e gjysmë. Nuk mund t’i kthehesh nga e para kur qytetari i thjeshtë kërkon liberalizim vizash”.

Shkarkoni aplikacionin e A2