Futet vaksina e re e “Rotavirusit”, Manastirliu: Përfitojnë 30 mijë fëmijë

Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu bëri me dije se së fundmi ministria ka vendosur të fusë në sistem vaksinën e re të rotavirusit. Kjo vaksinë e re përafron kalendarin tonë të vaksinimit me atë evropian dhe do të përfitohet falas nga rreth 30 mijë fëmijë në vit.

“Nga 1 Tetori i këtij viti është shtuar në kalendarin e vaksinimit vaksina e re e Rotavirusit, duke përafruar kalendarin tonë të vaksinimit me kalendarin europian. Është shumë e rëndësishme sepse përmirëson shëndetin e fëmijëve tanë nga virusi I rrezikshëm i rotavirusit dhe infeksionet që vijnë prej tij. Do të përfitojnë rreth 30 fëmijë në vit. Shpesh prindërit e blinin këtë vaksinë me kosto të lartë, 100 dollarë por tashmë është falas për çdo fëmijë që lind”, tha Manastirliu.

Vaksina e rotavirusit jepet nga goja me 3 doza në moshat 2, 4 dhe 6 muaj. Vaksina është shpërndarë në çdo qendër shëndetësore sipas planeve të tyre të vaksinimit. Rotavirusi mund të shkaktojë diarre të rëndë, të vjella, ethe dhe dhimbje barku. Disa fëmijë me sëmundje rotavirusi humbasin shumë lëngje dhe bëhen shumë të dehidratuar. Një fëmijë mund të marrë rotavirusin aksidentalisht nga një fëmijë tjetër që ka rotavirus. Kjo mund të ndodhë nëse një fëmijë vendos në gojë duart e palara ose një objekt, ushqim ose lëngje të kontaminuara. Me futjen e vaksinës së re, kalendari i vaksinimit ka 12 vaksina të detyrueshme për fëmijët.

Shkarkoni aplikacionin e A2