Kosova “parakalon” Shqipërinë, Zguri: Procesi ka dështuar. Biba: Politika monopolizoi numërimin

Njohja me fituesit e zgjedhjeve në Kosovë pothuajse brenda së dielës, nxjerr në pah një kontrast të fortë me procesin e numërimit në vendin tonë.

Kryetari KQZ-së, Klement Zguri, thotë se sistemi aktual ka dështuar, ndaj kërkon ndërhyrjen e komisionit të reformës zgjedhore.

Ndërsa nënkryetari, Denar Biba, thotë se kjo zvarritje e procesit të numërimit, vjen si pasojë e faktorit politik, që ndryshoi mënyrën e numërimit të fletëve të votimit.

“Në Kosovë votat numërohet në qendrat e votimit, por kjo nuk është diçka e panjohur për ne, pasi më parë Shqipëria e ka aplikuar këtë sistem. Ligjvënësi ka gjykuar se një sistem tjetër mund të ishte më i pranueshëm për kontekstin e vendit tonë. Duket qartësisht se menaxhimi dhe administrimi, mënyra se si bëhet te ne, ka dështuar, qoftë edhe për këtë fakt. I takon Komisionit të Reformës Zgjedhore të zgjidh defektet dhe të kemi një nivel administrimi në vendin tonë”, u shpreh Zguri.

“Dallimi është në legjislacion, pasi në bazë të Kodit Zgjedhor të Shqipërisë, numërimi bëhet në qendrat e numërimit. Do të duhej të riktheheshim atje ku kemi qenë edhe dikur. Forcat politike, në kuadër të asaj që rregullisht është vërejtur nga OSBE/ODIHR NË Çdo raport, të klimës së jashtëzakonshme të mosbesimit të njëra-tjetrës, vendosën ta kishin të monopolizuar dhe të përqendruar në 90 zona sesa t’i kishin të shpërndarë në 5600 qendra votimi. Mesa duket nuk kanë besim se komisionerët e tyre do të numërojnë ashtu siç duhet”, tha Biba.

Shkarkoni aplikacionin e A2