Kurti kryeministër i Kosovës? Milo tregon si ndryshon raporti me Tiranën, ndërkombëtarët dhe Beogradin

Ish-ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Paskal Milo, në Ditarin e orës 13:00 në A2 foli për përbërjen e koalicionit të ri qeverisës të Kosovës, ku u shpreh se do të ishte e shëndetshme që qeveria e re të ishte vetëm me parti shqiptare.

Milo theksoi se nëse qeveria e re do të përbëhet nga VV dhe LDK, vështirë të jetë jetëgjatë. Ai e mbështeti këtë parashikim të tij në faktin që dy partitë kanë qasje të kundërta në raport me problematikat e Kosovës. Në fund, Milo foli edhe për marrëdhëniet e qeverisë së re të Prishtinës në lidhje me Tiranën, ndërkombëtarët dhe Beogradin.

Mundësitë për koalicion…

“VV fitoi zgjedhjet, por edhe LDK ka arritur një rezultat mjaft të mirë krahasuar me zgjedhjet e fundit. Këto dy parti të opozitës korrën një fitoren dhe janë, besoj, së bashku në qeverisjen e ardhshme të vendit. Partitë që ishin në qeverisje paguan haraçin e të qeverisurit në një vend që ka pasur dhe ka mjaft probleme, për të cilat qytetarët e Kosovës nuk gjetën përgjigje, për shkak edhe të faktorit ndërkombëtar. Qeveria që po shkon pagoi taksën e qeverisjes dhe të mosarritjeve që kishte premtuar gjatë fushatës elektorale. Një kompromis i madh është bërë nga këto parti, që kush del parti e parë do të ketë edhe kryeministrin. Besoj se Albin Kurti do të jetë kryeministri i ardhshëm i Kosovës. Kompromiset e tjera janë më të lehta për t’u bërë, por do të ishte mirë që të kishte në koalicion një parti të tretë. Mund të ishte AAK-ja parti e tretë, ka ende shpresa Nisma e Limajt. Ka hapësira për të krijuar jë qeveri me parti politike shqiptare. Do të ishte mirë, do të ishte e shëndetshme, që qeveria e ardhshme e Kosovës të jetë vetëm nga parti politike shqiptare.

“Qeveria e re, vështirë të jetë jetëgjatë”

“Është shumë shpejt për të folur. Nëse Kurti ka menduar se do t’i rikthehet marrëveshjeve me Serbinë, në radhë të parë, ai duhet t’u rikthehet negociatave me Serbinë, mbi baza dhe platforma të reja. Koalicioni nuk do të jetë i lehtë, pasi do të përbëhet kryesisht nga dy parti politike që kanë shpesh qasje të kundërta në raport me shumë probleme të brendshme, por edhe ndërkombëtare. Unë e shoh një qeveri të ardhme të Kosovës me mjaft dyshime për të vazhduar gjatë”.

Qeveria e re në raport me Tiranën, ndërkombëtarët dhe Beogradin

“Edhe Vuçiç për shkak të realiteteve të reja, do të jetë i detyruar të ulet përballë Kurtit. Marrëdhëniet do të vendosen në një shtrat normal. Por për shkak të individualiteteve nuk dihet. Kurti ka një statur të veçantë, ka një qasje disi më ndryshe, por kjo do të dëshmohet gjatë takimeve të para, por edhe nga mënyra se si Shqipëria do të mbështesë Kosovën në raport me negociatat me Serbinë dhe me BE-në. Qeveria e re do të ketë dy qasje, një të brendshëm për të gjetur kompromiset midis saj dhe një qasje tjetër në raport me partnerët ndërkombëtarë, për shkallën sa do të konsultohet dhe sa do t’i dëgjojë. Në fund, si rrjedhojë e këtyre dy qasjeve, të brendshme dhe të jashtme, do të jetë edhe qasja në raport me negociatat që do të zhvillojë me Serbinë”, u shpreh Paskal Milo.

Shkarkoni aplikacionin e A2