Punimet në autostradë zbulojnë “Nju Jorkun” e Epokës së Bronzit

Punimet në një autostradë në Izrael kanë mundësuar një nga zbulimet më të rëndësishme të viteve të fundit, konturet e një metropoli të vërtetë, të themeluar rreth 5 mijë vjet më parë.  

Me një dimension që tejkalon 3 kilometrat katrorë, një sistem rrugësh kompleks dhe një popullsi që sipas ekspertëve mund të shkonte deri në 6 mijë persona, Ein Asur ndodhet rreth 60 kilometra në veri të Tel Avivit.   

Sipas arkeologëve, kemi të bëjmë me një nga qytetet më të rëndësishme të Epokës së Bronzit, me një histori të mahnitshme shkëmbimesh ekonomike me qytetet e tjera, të dëshmuara nga artefaktet e shumta egjiptiane që janë gjetur.  

Zbulimi ka ndodhur në kantierin e autostradës që do të lidhë me sistemin rrugor qytetin e ri të Harish, që planifikohet të ketë rreth 60 mijë banorë deri në vitin 2030.

Rrënojat, pasi janë kataloguar nga Instituti i Arkeologjisë vendas, janë mbuluar sërish për t’i dhënë udhë punimeve bashkëkohore në autostradë, por modifikime do të kryhen në mënyrë që “Nju Jorku” i lashtësisë, siç e kanë quajtur, të jetë aty edhe për gjeneratat e ardhshme.

Shkarkoni aplikacionin e A2