Redi Shehu: Duhet kujdes, jemi në një kohë kur nuk vetëvendoset

Analisti Redi Shehu mendon se Lëvizja Vetëvendosje, e cila doli si forcë e parë në zgjedhjet e parakohshme në Kosovë, duhet të bëjë disa modifikime të shëndetshme në qëndrimet e saj në raport me interesat e Kosovës dhe partnerët ndërkombëtarë.

“Vetëvendosja duhet të ketë kujdes, sepse duhet të vetëvendosë në një kohë kur nuk vetëvendoset. Sot është e vështirë të thuash që kosovarët mund të vetëvendosin për fatin e tyre, sepse vetë gjeopolitika e rajonit është në duart e fuqive të mëdha dhe kryesisht të Shteteve të Bashkuara”, tha Shehu i ftuar te Ditari në A2.

Edhe pse programet e Vetëvendosjes dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës nuk janë shumë afër, Shehu mendon se Albin Kurti dhe Vjosa Osmani duhet të bashkëpunojnë, edhe pse nuk do të jetë e lehtë. “Ata të dy janë të dënuar të jenë së bashku sepse nuk ka formë tjetër për të qeverisur Kosovën. Do të duhet të gjejnë gjuhën e përbashkët, duke qenë se kanë këndvështrime të ndryshme për rajonin dhe nacionalizimin si term”.

Shehu shtoi se gjithçka ndodh në Kosovë, është një shembull i mirë edhe për Shqipërinë. “Ata treguan një farë emancipimi të ndërgjegjes politike si shoqëri. Është rasti që edhe në të marrim disa leksione. Mënyra se si u zhvilluan zgjedhjet, rezultatet dhe korrektesa në deklarata janë mësime për t’u marrë”, shtoi Shehu.

Shkarkoni aplikacionin e A2