Zgjedhjet në Kosovë, Bylykbashi: Leksion demokracie; tek ne i pengon Rama

Ish deputeti i Partisë Demokratike, Oerd Bylykbashi përmes një konferencë për shtyp deklaroi se zgjedhjet parlamentare në Kosovë ishin një leksion për politikën shqiptare që garantuan një rotacion paqësor ku humbësi pranoi humbjen.

“Kosova dha një mësim të madh se zgjedhjet bëhen demokratike, kur në vend të parë vjen interesi i zgjedhësve dhe kur qeveria ka vullnet për të zbatuar ligjin,‎ që garanton të drejtën e zgjedhësve dhe të kandidatëve që konkurrojnë të lirë e pa presion.

Askush nuk ka dëgjuar zhurmë për reformë zgjedhore në Kosovë, por të gjithë pamë se si Kosova bëri zgjedhje demokratike që garantuan rotacion politik paqësor, ku fituesi angazhohet për ndryshim dhe humbësi nuk manipulon numërimin, por pranon humbjen”, deklaroi ish deputeti demokrat.

Më tej, Bylykbashi renditi të gjithë motive që sipas PD kanë shkatërruar zgjedhjet në Shqipërisë duke përfshirë këtu qeveritarët e korruptuar, kriminelët e angazhuar për blerjen e votave, komisionerët militantë etj..

Bylykbashi shtoi se PD është e angazhuar që t’iu sigurojë qytetarëve zgjedhje demokratike përmes zbatimit të rekomandimeve të OSBE-ODIHR

“Partia Demokratike është e bindur që vetëm zbatimi i plotë dhe i vërtetë i rekomandimeve të ODIHR na hap rrugën për zgjedhje demokratike dhe për këtë ka propozuar një plan me pesë pika, në bazë të të cilit qëndron vullneti politik për zgjedhje të lira e të ndershme.  E vetmja pengesë në rrugën e shqiptarëve për zbatimin e rekomandimeve, si dhe garantimin e zgjedhje si gjithë Europa, është Edi Rama dhe qeveria e tij‎”, shtoi Bylykbashi

Shkarkoni aplikacionin e A2