Duket si një kompleks olimpik, por ky është inceneratori i ri në Kopenhagen

Teknikisht është një incenerator, që ka kapacitetin të djegë 400 mijë tonelata mbetje në vit.  Ka kushtuar 760 milionë dollarë, dhe ekspertët sigurojnë që nga oxhaku del vetëm avull.

Por kompleksi Copenhill i sapo përuruar në periferinë e Kopenhagen, edhe pse pjesërisht ishte i hapur që 2 vite më parë, është shumë më shumë se aq.

Kompleksi industrial ndodhet në jug të kryeqytetit danez, buzë detit dhe do të shfrytëzohet 365 ditë nga banorët e tij, sepse kemi të bëjmë më shumë me një kompleks multifunksional sesa me një industrial.

Salla konferencash, kafene, por më së shumti një kompleks sportiv i mirëfilltë, ku dominon një pistë skiimi që gjarpëron në çatinë e tij, dhe që mund të mbajë deri në 200 persona njëkohësisht. Një pistë që mund të përdoret në dimër kur ka borë por edhe në verë, falë materialit special që mundëson rrëshqitjen e skive.

Kompleksi ka edhe një palestër, një mur 85 metra për alpinizëm, si dhe shtigje për hiking dhe zona të dedikuara për piknik.    

Përfundimi i Copenhill ishte i mundimshëm. I projektuar nga arkitekti Bjarke Ingeals, i njohur në Shqipëri për projektin e diskutuar të Teatrit Kombëtarë, bashkë me studio të tjera arkitekturore, ndërtimi i projektit me sipërfaqe 41 mijë metra katrorë zgjati rreth 8 vite, me kosto të mëdha financiare por që sot mendohet se do t’i rikthehen në shërbime për danezët.

Shkarkoni aplikacionin e A2