Hapja e negociatave, Meta: Nuk jemi në rregull me detyrat e shtëpisë

Presidenti Ilir Meta, gjatë një bashkëbisedimi me studentët ekselentë të Universitetit Europian të Tiranës, deklaroi në lidhje me hapjen e negociatave ose jo me Bashkimin Evropian se Shqipëria nuk është në rregull me detyrat e shtëpisë.

“Kemi humbur shumë kohë dhe ne për fat të keq si popull dallohemi që humbasim shumë kohë. Shoqëria jonë funksionon në mënyrë evropiane, por politika është mjaft konfliktuale, është artificiale çdo gjë. Konflikti është zgjedhur si mënyrë për shmangien e llogaridhënies. Gjithë kjo tymnajë bën të pamundur që qytetarët të shohin si përdoren taksat e tyre, si qeveriset vendi e kështu me radhë. Ndaj, kjo situatë ka sjellë kushtet e Bundestagut, që kanë 3 vite që i kërkojnë. Sepse Evropa ka standarde dhe kritere për funksionimin e shtetit dhe nuk mundet kurrsesi që të rrezikojnë standardet e tyre nëse rrezikojnë cenim të tyre. Kryeministri dhe unë i kemi ditur këto gjëra, por interesi politik afatshkurtër ka dominuar mbi një interes më të madh. Gjithashtu, ka pasur një mendim të caktuar se disa gjëra zgjidhen me lobingje. Shqipëria ka lidership që nuk do të mbajë përgjegjësi për asgjë. Nuk jemi në rregull me detyrat e shtëpisë. Integrimi evropian ka detyrimet që ne i kemi patur të qarta dhe vit pas viti i kemi mbartur. Ne i kemi shtuar këto detyrime në vend që t’i realizonim, por nëse do të futësh hundët te drejtësia, kjo nuk është rruga për të krijuar besim për ndërkombëtarët”, tha Meta.

Përsa i përket Reformës në Drejtësi, Meta theksoi se ajo “është zbatuar në mënyrë të njëanshme”.

“Unë jam përpjekur që kjo gjë të mos ndodhë sepse e di çfarë do të thotë të politizosh këtë çështje. Rasti më shqetësues është zgjedhja e Prokurorit të Përgjithshëm të Përkohshëm. Është bërë me ligj të njëanshëm dhe është proces që nuk duhet të kishte ecur kështu”, u shpreh Presidenti.

Shkarkoni aplikacionin e A2