Kryeministri në largim i Kosovës, Ramush Haradinaj, tha se zgjedhjet në Kosovë kishin qenë demokratike dhe se nuk do ta kontestonte rezultatin e tyre.
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës akuzoi liderin e Lëvizjes Vetëvendosje se nuk do të mbajë premtimet, ndërsa për PDK-në tha se mbështet ndarjen e Kosovës.
“VV nuk është ajo që është premtuar. Ekziston mundësia reale e një mashtrimi dhe e një zhgënjimi të qytetarëve. Shpresoj që unë të jem gabim”, tha Haradinaj.
Haradinaj, ju përgjigj gjithashtu edhe deklaratave të Borrel, se Kosova nuk është shtet. Në një postim të gjatë në rrjetin social “Facebook”, Haradinaj i kujton njeriut që pritet të udhëheqë politikën e jashtme të BE-së se njohja sipas të drejtës ndërkombëtare nuk e bën apo zhbën qenësinë e shtetit.
“Njohja është akt politik dhe nuk e përcakton funksionaltetin juridik e politik të shtetit”, thotë ish-kryeministri.
Deklarata të tilla, sipas tij, tregojnë nivelin e ulët të besueshmërisë dhe njohjes sipërfaqësore të çështjeve të Ballkanit nga ana e Borrel. “Besojmë fuqishëm se degradimet, shkarjet, dhe ofendimet e tilla, nuk do të lejohen më nga institucionet e BE-së”, vijon me tej Haradinaj.