Negociatat, Parlamenti holandez diskuton për Shqipërinë: Mirëpresim hapat e ndërmarra, por duhet ende shumë punë

Parlamenti i Holandës diskutoi sot lidhur me çeljen e negociatave të anëtarësimit të Bashkimit Europian me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Ligjvënësit e këtij shteti kanë thirrur në interpelancë ministrin e Jashtëm, Stef Blok.

Holanda prej kohësh është shprehur skeptike lidhur me negociatat, kryesisht për Shqipërinë, pasi konsideron se nuk ka bërë progres në reformat e kërkuara. “Shqipëria duhet të ndërmarrë hapa të mëtejshëm, veçanërisht në luftën kundër korrupsionit dhe në përmirësimin e sundimit të ligjit”, shprehej Blok disa ditë më parë.

Qeveria e Amsterdamit shprehu hapur pakënaqësitë e saj, ndërsa theksoi se korrupsioni dhe trafiku i drogës mbeten probleme serioze, të cilat do të diskutohen edhe gjatë Këshillit të Bashkimit Europian.

Ndërkohë në diskutimet e Komisionit, të ritheksuara edhe nga një qëndrim zyrtar i Ministrisë së Jashtme holandeze, theksohet se “Hollanda e mirëpret punën e madhe dhe hapat e ndërmarra në vitin e fundit. Hollanda mendon se më shumë punë duhet bërë në luftën kundër korrupsionit dhe krimit te organizuar”.

Sa i përket Maqedonisë së Veriut nuk ka ndonjë kundërshtim për çeljen e negociatave të anëtarësimit. Deputetët holandezë janë shprehur shpeshherë kundër anëtarësimit të Shqipërisë me frikën se do të eksportohet krimi dhe droga në Bashkimin Europian.

Deputetët holandezë kanë miratuar rezoluta të ndryshme kundër Shqipërisë, duke kërkuar edhe rikthimin e vizave, pra pezullimin e Shengenit.

Gjithsesi, Holanda nuk ka marrë një vendim zyrtar dhe nuk pritet të ketë një të tillë deri në takimin e datës 15 tetor, kur do të mblidhen ministrat e Jashtëm të BE, ku mund të ndikojë edhe vendimmarrja franceze.  

Shkarkoni aplikacionin e A2