Rikthehen 55 azilkërkues nga Franca

55 shqiptarë që kishin kërkuar azil në Francë janë rikthyer pasi iu është refuzuar kërkesa. Bashkë me pesë shtetas të tjerë, të cilëve nuk iu është pranuar kërkesa nga Belgjika, ata u riatdhesuan këtë të martë, nga aeroporti i Lilës. Sipas Policisë shqiptare, të gjithë këta shtetas kishin vendim për dalje nga territori francez apo belg, për shkak të qëndrimit të parregullt apo kërkimit të azilit në këto vende.

Vetëm një ditë më parë, në Asamblenë e Përgjithshme franceze, u diskutua problemi i azilkërkuesve, ku vetë Kryeministri i vendit, Edouard Philippe tha se është e papranueshme që të vijnë kërkesa për azil nga shtetas të vendeve kandidate për në BE.

Vitin e kaluar, Franca regjistroi 123 mijë kërkesa për azil, një rritje prej 22% krahasuar me 2017. Në bazë të të dhënave zyrtare, Afganistani kryeson listën me 10270 kërkesa, ndërsa më pas vjen Shqipëria me 9690 dhe Gjeorgjia me 6960. Për vendin tonë janë pranuar vetëm 175, refuzuar mbi 8 mijë dhe mbetur pezull 3 mijë kërkesa të tjera.

Ndërkohë Policia Kufitare njofton se ka forcuar kontrollet në pikat e kalimit kufitar, në drejtim të verifikimit të dokumentacionit dhe plotësimit të kushteve për të udhëtuar në vendet e BE-së, si dhe me patrulla të shtuara në kufirin jeshil për të parandaluar kalimin e paligjshëm të kufirit.

Shkarkoni aplikacionin e A2